Mark Zuckerberg njoftoi një sërë opsionesh të reja të Inteligjencës Artificiale (AI) në Meta Connect 2024 që do të mund të aplikohen përmes Meta AI në Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger.
Një nga opsionet që me siguri do të pëlqehet është mundësia për të pyetur IA rreth fotove dhe t’i kërkosh që t’i ndryshojë.
Tani Meta AI mund ‘të shohë’ fotot në bisedë dhe t’u përgjigjet pyetjeve rreth tyre. Nëse hyni në bisedë me Meta AI, ngarkoni foton e një zogu dhe ta pyesni cilit lloj i përket, do t’ju japë përgjigjen e saktë. Ju mund t’i tregoni foton e një pjate dhe mund të merrni recetën e plotë.
Sfond inteligjent
Inteligjenca Artificiale mund të ndryshojë fotot dhe jo vetëm me filtra siç jemi mësuar deri më tani. Përmes saj, mund të shtoni e hiqni elementë apo të ndryshoni sfondin e fotos. Madje edhe nëse doni të shihni si do të dukeshit të veshur ndryshe, e realizon IA.
IA mund të heqë persona të tjerë nga fotot apo të shtojë një luan nëse dëshironi duke e realizuar këtë pa qenë nevoja të rrezikoni jetën.
Nëse doni të ripostoni një foto nga profili juaj për në InstaStory, Meta AI mund të përzgjedhë një sfond që do t’i përshtatet postimit.
Kjo risi pritet që të jetë e disponueshme për përdoruesit e Meta në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re gjatë muajit të ardhshëm./tvklan.al