Shtetet e Bashkuara të Amerikës do zhvillojnë më 11 Mars në Riad një takim me Ukrainën për të diskutuar për dhënien fund të luftës me Rusinë.
Negociatat do të udhëhiqen, me formatin e takimit me palën ruse, ku SHBA do të përfaqësohet nga Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio, i dërguar i posaçëm Witkoff dhe këshilltari për sigurinë Waltz.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksi i pranishëm në Bruksel në Këshillin e Jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së konfirmoi nisjen e negociatave me palën amerikane me një postim në rrjetet sociale.
Presidenti ukrainas pas takoi homologun francez Macron përshëndeti edhe “Planin e Riarmatimit të Europës”. Europa ka vendosur të shpenzojë të paktën 800 miliardë Euro për mbrojtjen dhe një pjesë e këtyre fondeve do të investohen në industrinë ushtarake të Ukrainës.
Para nisjes së samitit ra në sy ndarja sërish në dy grupe e krerëve të vendeve anëtare.
Kancelari gjerman në detyrë Olaf Scholz u rendit ndër ata që kërkojnë që mos ecet drejt shkëputjes së partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
“Në këndvështrimin tim, nëse gjykojmë me gjakftohtësi dhe mendjemprehtësi, mbështetja e Shteteve të Bashkuara duhet ruajtur në muajt dhe vitet e ardhshëm, pasi Ukraina po ashtu është e varur nga mbështetja e tyre në fushën e mbrojtjes”, tha Scholz.
Në fund të samitit, 26 udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë miratuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, por pa atë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili ka vendosur veton, teksa ranë dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen e Evropës.
Tv Klan