X/Twitter është ndaluar në Brazil pasi nuk ka përmbushur afatin e Gjykatës së Lartë për të caktuar një përfaqësues të ri ligjor.
Alexandre de Moraes urdhëroi “pezullimin e menjëhershëm dhe të plotë” të platformëës sociale derisa të zbatojë vendimet e gjykatës dhe të paguajë gjobat ekzistuese.
Çështja nisi në prill pasi gjykatësi urdhëroi pezullimin e dhjetëra llogarive për shpërndarje të dezinformimit. Elon Musk reagoi dhe tha: “Fjala e lirë është themeli i demokracisë dhe një pseudo-gjykatës i paemëruar në Brazil po e shkatërron për qëllime politike”.
Mëngjesin e së shtunës disa përdorues raportuan se hyrja në platformën X/Twitter nuk ishte më e mundur. Kompania mbylli zyrat në Brazil këtë muaj duke thënë se përrfaqësuesja ishte kërcënuar me arrest nëse nuk zbatonte urdhrat e përshkruar si “censurim” dhe të paligjshme në legjislacionin brazilian.
Moraes ka urdhëruar që llogaritë që dezinformojnë, pjesa më e madhe mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro, duhet të bllokohen gjatë kohës që janë nën hetim. Përfaqësuesit ligjorë të kompanisë do të fajësoheshin në rast riaktivizimi.
X është kërcënuar me gjoba për refuzimin e zbatimit të urdhrit, ndërsa kompania dhe Musk u janë bashkuar kritikëve në Brazil që e akuzojnë gjykatësin si përkrahës të së majtës.
Moraes u ka dhënë Apple dhe Google një afat 5-ditor për të hequr X nga platformat e tyre dhe për të bllokuar përdorimin në sistemet iOS dhe Android. Bizneseet dhe individët që do të përdorin VPN për të hyrë në platformë do të gjobiten me 6700 paund./tvklan.al