Qeveria izraelite është në prag të pranimit të armëpushimit me Hezbollahun, sipas planit të propozuar nga Uashingtoni javën e kaluar.

Kabineti i Kryeministrit Benjamin Netanjahu mblidhet këtë të martë për të votuar planin që pritet t’i japë fund konfliktit të rindezur më shumë se 2-mujor në Liban, që i ka marrë jetën mbi 3700 personave.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se plani parashikon tërheqjen e trupave tokësore izraelite nga jugu i Libanit për t’i hapur rrugë rikthimit brenda 60 ditëve të ushtrisë libaneze në ato zona, që deri më sot janë konsideruar si bastione të Hezbollahut.

Izraelit i është dhënë garanci se nuk do të lejohet ringritja e strukturave të shkatërruara gjatë këtyre javëve të bombardimeve, apo riarmatosja e Hezbollahut.

Edhe Hezbollahu e ka pranuar parimisht planin amerikan.

Organizata e mbështetur nga Teherani është dobësuar ndjeshëm nga bombardimet izraelite, ndërsa u ekzekutuan edhe drejtuesit e lartë.

Bombardimet izraelite në Liban kanë vijuar edhe këtë të martë. Pavarësisht se ato e kanë dobësuar Hezbollahun, militantët e saj vazhdojnë të godasin me raketa qytetet izraelite.

Tv Klan