Simon Harris është konfirmuar lideri i ri i partisë politike irlandeze “Fine Gael”, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën 37-vjeçarit që të bëhet kryeministri më i ri i Irlandës. Harris, ministër i qeverisë irlandeze ishte i vetmi kandidat që kërkoi udhëheqjen e partisë.

Ai u shpreh se të bëhej udhëheqës i “Fine Gael”, për të është nderi i jetës së tij. Harris falënderoi partinë dhe ata që e zgjodhën për besimin tek ai, duke shtuar se këtë besim do ta shpërblejë me punë të palodhur.

Harris, ministri irlandez pati një drejtim të qartë në postin e lartë pasi ministra të tjerë që konsideroheshin si konkurrentë të mundshëm, e përjashtuan veten.

Simon Harris do të zëvendësojë Leo Varadkar, i cili njoftoi të mërkurën e javës së shkuar se do të largohej nga posti i kryeministrit dhe kreut të partisë.

45-vjeçari përmendi arsye personale dhe politike në dorëheqjen e tij, duke shtuar se ai “nuk është personi më i mirë” për të udhëhequr Irlandën./tvklan.al