Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar ka njoftuar papritur dorëheqjen e tij nga detyra duke shkaktuar një “tërmet politik” në vend.
Përpos dorëheqjes si Kryeministër, ai ka njoftuar edhe largimin si lider i partisë “Fine Gael”.
45-vjeçari përmendi arsye personale dhe politike në dorëheqjen e tij, duke shtuar se ai “nuk është personi më i mirë” për të udhëhequr Irlandën.
Largimi i Varadkar si Kryeministër do të thotë që vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
“Një pjesë e lidershipit është që të dish se kur ka ardhur koha për të kaluar stafetën dhe më pas të kesh guximin për ta bërë. Koha është tani. Unë besoj se kjo qeveri mund të rizgjidhet. Besoj se një kryetar i ri do të jetë më i mirë se unë”, tha Kryeministri i dorëhequr.
Leo Varadkar theksoi se pozicioni i tij si drejtues politik është në fund të rrugëtimit.
“Politikanët janë qenie njerëzore dhe ne kemi kufizimet tona. Ne japim gjithçka deri sa të mos mundemi më. Pastaj duhet të vazhdojmë përpara”.
Edhe pse i konsideroi kryesisht politike arsyet e dorëheqjes së tij, 45-vjeçari nuk i specifikoi se cilat ishin ato.
/tvklan.al