Më 9 Shkurt qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të kuvendit për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj e kësisoj edhe qeverinë e re që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme. Një rol të rëndësishëm në procesin zgjedhor në Kosovë e ka edhe diaspora. Mërgata ka nisur votimin me postë që prej 9 Janarit, por ky proces është shoqëruar me polemika.
Të enjten, Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se nisi hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet se është përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të votave me postë të diasporës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se institucioni që ai udhëheq nuk e di ende zyrtarisht se çfarë ka ndodhur pas raportimeve në media lidhur me këtë çështje.
“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht ende nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Mbeten të vërtetohen në fazat e mëvonshme”, tha Radoniqi kur u pyet nga gazetarët pas mbledhjes së KQZ-së më 7 Shkurt.
Radoniqi sqaroi se KQZ-ja ka emëruar stafin e ambasadave të Kosovës për tërheqjen e votave nga postat, “por se si ka shkuar procedura atje saktësisht nuk e di”.
Raportimet në media i ka hedhur poshtë edhe Alban Krasniqi i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai i konsideron ato si përpjekje për të denigruar integritetin e KQZ-së, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadorit Berishaj.
Përkundrazi sipas tij, KQZ dhe stafi diplomatik kanë mundësuar realizimin e regjistrimit të votuesve, votimin me postë dhe sjelljen e zarfeve në përfaqësitë diplomatike nga adresat postare pas dështimit të procesit të nënshkrimit të kontratës me një operator ekonomik që ato të dërgoheshin me postë në Kosovë.
“E uroj edhe Prokurorinë për punën që është duke e bërë dhe le të dalë sa më parë edhe Prokuroria, meqë ka treguar një interesim të jashtëzakonshëm edhe në këtë çështje natyrisht edhe për shkak të presioneve politike dhe të jashtme, shumë mirë, le ta shikojë dhe secilin proces, Prokuroria është e lirë ta verifikojë hetojë dhe ta shohë që nuk ka bash asgjë prej asgjëje. Le t’i tregohet publikut që ato 10-20 zarfe, sa kanë mundur të jenë, janë tërhequr për shkak të presionit të postës që kanë pasur për t’u tërhequr nga ekipet e autorizuara”, tha Krasniqi.
Kujtojmë se në garë për zgjedhjet në Kosovë janë 28 subjekte politike, të cilat garojnë me 1280 kandidatë për 120 karriget në Kuvendin e Kosovës.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se në lista janë regjistruar 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës.
Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.
Më 3 shkurt KQZ-ja doli me një sqarim duke thënë se për shkak të afateve kohore, nuk ka qenë e mundur të nënshkruhet kontrata me operatorin për shërbimet postare.
Andaj, KQZ tha se tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Për herë të parë Kosova do të organizojë më 8 Shkurt edhe votimin fizik në disa përfaqësi diplomatike jashtë vendit./tvklan.al