Në Qershor dilet për gjetjen e financimit në bursën e Londrës
Në Qershor qeveria shqiptare do të dalë në tregjet ndërkombëtare për të emetuar një Eurobond me vlerë 650 milionë Euro, më i madhi i emetuar ndonjëherë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën projektligjin i cili i hap rrugë marrjes së borxhit në tregjet e huaja, ndërsa përgjegjësia përveç Ministrisë së Financave i ka kaluar edhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Vlera është rritur nga 600 milionë që u projektua pas tërmetit, në 650 milionë Euro për shkak të pandemisë së Covid-19.
Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se vështirësia për të marrë financim në tregjet e huaja këtë herë është më e vështirë, po ashtu edhe presioni për interesa më të larta.
Nëse investitorët do të ofrojnë kushte të rritura, atëherë qeveria do të tërhiqet për të parë mundësinë e daljes sërish në Vjeshtë.
Shqipëria është vendi i dytë në rajon që do të dalë këtë vit për të marrë borxh në bursa pas Serbisë, e cila morri 2 miliardë Euro me yield prej 3.75%, ndërsa në Korrik Maqedonia e Veriut do të kërkojë emetimin e një bondi me vlerë 800 milionë Euro.
Edhe këtë herë Shqipëria do të drejtohet në bursën e Londrës, ku agjenti që do të ofrojë asistencë teknike për qeverinë është kompania “Rothschild&Co”.
300 milionë Euro do të shkojnë për të rinovuar bondin e vjetër, ndërsa 350 milionë të tjera do të jenë huamarrje e re.
E gjithë shuma kërkohet për një afat maturimi nga 7-10 vjet.
Kjo është hera e katërt që qeveria përdor si instrument për marrjen e borxhit daljen në bursa.
Në 2017-ën u arritën të siguroheshin 500 milion Euro kundrejt një interesi prej 3.55%.
Tv Klan