Në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës”, kryeministri Edi Rama inkurajoi Prokurorinë e Posaçme që të vijojë me betejën e saj kundër pandëshkueshmërisë. “Unë ndihem absolutisht i qetë dhe i qartë, akoma më i vendosur që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis”, tha Rama.
Ai u pyet konkretisht edhe për rastin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili ka dëshmuar rreth 5 orë në SPAK të Enjten. Sipas kreut të qeverisë, “fakti që cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm”.
“Unë nuk komentoj raste individuale, s’e kam bërë asnjëherë përveçse kur ka pasur vendime gjykate, siç ka qenë rasti i një shpifësi recitiv. Fakti që cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër gjyqet nuk bëhen në media, por në proceset ligjore dhe kushtetuese. Opinioni im dihet tashmë botërisht, përballë drejtësisë dhe ligjit, përballë të drejtës së institucioneve për të bërë punën e tyre, nuk janë emrat që caktojnë se për kë e bëjnë punën, por janë faktet dhe liritë e secilit që duhen ushtruar, duke nisur nga e drejta dhe liria e drejtësisë për të bërë punën e vet. Detyra ime nuk është që të bëj punët e një pushteti tjetër të pavarur”, tha Rama.
Kryeministri foli po ashtu për procesin e negociatave me Bashkimin Evropian si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për këto të fundit, e tha me bindje se “fitorja e PS-së do jetë e thellë ndaj forcave të tjera politike.”
“Partia Socialiste do të fitojë në maj të vitit të ardhshëm dhe do të ketë fitoren më të thellë të të gjithë këtyre garave që i kemi fituar njërën pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, sepse jemi një forcë politike, që është e pakonkurrueshme në çdo aspekt, e nuk mundemi dot“, përfundoi Rama.
/tvklan.al