Duke sqaruar fillimisht që është në një pozitë komode të një kryeministri të një vendi të vogël që nuk ka barrën e vendimmarrjes, Edi Rama ka dhënë këndvështrimin e tij për krizën mes Europës dhe SHBA.
Në takimin që bëri bashkë laureatë e çmimit ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh” në një dialog mbi të ardhmen e Europës kryeministri e sheh absurd qëndrimin e BE për tu fokusuar tek armatimi në vend se tek investimet në arsim.
“Mesa kuptoj unë bëhet fjalë për një pamje 360 gradë të situatës, nuk është thjesht diçka që lidhet me forcimin ushtarak, nuk është thjesht fjala për të hyrë në një garë se kush është më i fortë ushtarakisht sepse kur dëgjoj gjëra të tilla, për shembull, “Le të shkurtojmë fondet për arsimin dhe të prodhojmë më shumë armë” tmerrohem sepse ne, shpresoj, nuk po kërkojmë të krijojmë një ushtri të madhe barbarësh e gjysmë analfabetësh, kërkojmë diçka krejt ndryshe”, tha Rama.
Por Rama thotë se ka një tjetër mendim e tmerron më shumë, që lidhet me situatën ku gjendet aktualisht Europa në raport me aletatët e saj, ndaj sipas tij kërkohet nje analizë nga lidërit e saj pse u arrit deri në këtë pikë.
“Europa ka më pak miq sot sesa përpara agresionit rus dhe kjo është diçka që duhet kuptuar, diçka mbi të cilën duhet reflektuar pse ka ndodhur kjo, ndërkohë që nuk ka aspak dyshim që Europa u ngrit për gjënë e duhur, duke qëndruar krah Ukrainës. Kjo nuk ka aspak dyshim, por pse ka më pak miq? Nuk po flasim për Rusinë, po flasim për miq të cilët nuk janë në këtë pjesë të botës. Është shumë komplekse, por ndoshta Zoti i shpëtoi jetën Donald Trump jo vetëm për ta bërë Amerikën të madhe përsëri, por për të zgjuar përfundimisht Europën dhe për t’i dhënë asaj mundësinë të kuptojë që nuk mund të vazhdojë sikur bota të ishte njësoj sepse nuk është njësoj”, tha Rama.
Gjithsesi alternativa e vetme që Shqipëria do zgjedhje deri në fund, Rama siguron se do të jetë Bashkimi Europian.
“Bashkimi Europian është përgjigja shumë më shumë sesa gjithçka tjetër jashtë Bashkimit Europian. Të shikojmë Britaninë e Madhe pas “Brexit” për shembull sesi ky iluzioni i Britanisë që ka më shumë para, më shumë instrumente, më shumë fuqi duke qenë jashtë BE, se si është shkatërruar është thyer. Pra, unë mendoj se BE ka shumë gjëra për të cilat mund të kritikohet dhe jo sepse është projekti i gabuar, por sepse projekti nuk është i përfunduar. Pavarësisht ankesave, dhimbjeve të kokës, burokracisë neurotike, në fund të fundit ajo për të cilën bëhet fjalë është një themel shumë, shumë i fortë. Unë mendoj që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë i ndërgjegjshëm jam për çfarë mund të humbasim në rast se dobësohet Bashkimi Europian dhe se çfarë tragjedie do të ishte në rast se do zhdukej BE. Do ishte sikur ta linim, të dilnim vet nga historia me këmbët tona”, tha Rama.
Pjesë e takimit ishin dhe Martin Shulz ish-President i Parlamentit Evropian dhe Znj. Veronika Tsepkalo, pjesë aktive e opozitës bjelloruse e cila është e dënuar në mungesë me burg nga presidenti autokrat Lukashenko vetëm se është opozitare.
Tv Klan