Qasja e re e Uashingtonit për Ukrainën e bërë publike edhe në samitin e NATO-s pas telefonatës Trump-Putin është kritikuar nga vendet kryesore të aleancës. Gjermania dhe Franca thonë se Trump po i bën lëshime Putinit në Ukrainë. Deklaratat e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Pit Hegseth se Ukraina duhet të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe nga kushti për t’u rikthyer në kufijtë e vitit 2014 kanë sjellë reagime të ndryshme në takimin e krerëve të mbrojtjes së vendeve aleate, të mbledhur në Bruksel.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u përpoq të ishte i kujdesshëm me fjalët, përballë një administrate të re amerikane me një qasje krejt të ndryshme për krizën e Ukrainës nga ajo e deritanishmja. Për Rutten, në bisedimet për Ukrainën duhet përfshirë patjetër qëndrimi i Ukrainës.
Linjat e vendosura për Ukrainën nga Uashingtoni që para nisjes zyrtare të bisedimeve të paqes me Rusinë, ministri gjerman i Mbrojtjes i quajti lëshime që Donald Trump po i bën Vladimir Putinit. Ndërsa për ministrin francez, Trump po e shndërron qasjen e deritanishme të NATO-s ndaj Rusisë, të paqes përmes forcës, në “paqe përmes dobësisë”.
Deklaratat e shefit të Pentagonit erdhën pasi bisedave telefonike të Donald Trumpit me Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyin, pas të cilave kërkoi nisjen e menjëherëshme të bisedimeve të paqes.
Tv Klan