Izraeli ka thirrur rezervistët ushtarakë që të përgatiten për një rishpërthim të mundshëm të luftës në Gaza, nëse Hamasi nuk arrin të përmbushë afatin e së shtunës për të liruar pengje të tjerë izraelitë.

Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të mblidhte forcat rreth Gazës dhe se do vendoseshin forca shtesë në jug të Izraelit, duke përfshirë mobilizimin e rezervistëve.

Shqetësimi se armëpushimi do të shembet po rritet ndërsa zemërimi rritet në botën arabe për planin e Presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës, të rivendosin banorët e saj palestinezë dhe të ndërtojnë një vendpushim plazhi ndërkombëtar.

Një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro për të diskutuar me ndërmjetësit zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, sipas një deklarate të grupit palestinez. Zyrtari i Hamasit, Mahmoud Mardawi ka bërë të ditur se ka “sinjale pozitive” se tre robër izraelitë do të lirohen siç ishte planifikuar të shtunën.

Nga ana tjetër Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha se armëpushimi ka për qëllim të sjelle një lirim të shpejtë të pengjeve të mbajtur në kushte të vështira në Gaza.

“Nëse Hamasi ndal lirimin e pengjeve, atëherë nuk ka armëpushim, por ka luftë,” tha ai në një deklaratë.

Katz shtoi se “lufta e re e Gazës” do të jetë krejtësisht e një intensiteti tjetër dhe “të lejojë realizimin e vizionit të Trump për Gazën”.

Trump ka premtuar se do të bëjë presion mbi Jordaninë dhe Egjiptin për të pranuar palestinezët e zhvendosur me force, por të dy vendet kanë refuzuar.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi dhe Mbreti i Jordanisë Abdullah II folën me telefon, duke theksuar rëndësinë e fillimit të menjëhershëm të rindërtimit të Gazës “pa transferimin e popullit palestinez nga toka e tyre”, sipas një deklarate nga presidenca egjiptiane.

Udhëheqësit gjithashtu treguan dëshirën e tyre për të punuar me Trump për të arritur paqe të përhershme në rajon përmes krijimit të një shteti të pavarur palestinez.

Klan News