Shefi i NATO-s Mark Rutte pajtohet me Presidentin Donald Trump kur ky i fundit thotë se barra duhet të jetë e njëjtë kur bëhet fjalë për të ndihmuar Ukrainën.
“Unë pajtohem me të se ne duhet të barazojmë ndihmën e sigurisë për Ukrainën. Por për të ndryshuar realisht trajektoren e konfliktit, ne duhet të bëjmë edhe më shumë. Sa më e fortë të jetë Ukraina në fushën e betejës, aq më të fortë do të jenë ata në tryezën e bisedimeve”, tha Mark Rutte.
Sipas tij, anëtarët e NATO-s ranë dakord vitin e kaluar që t’i ofrojnë Ukrainës 40 miliardë Euro ndihmë për sigurinë brenda një viti, por përfunduan duke dërguar më shumë.
“Në Samitin e Uashingtonit, aleatët u zotuan t’i ofrojnë Ukrainës 40 miliardë Euro ndihmë për sigurinë në vitin 2024. Aleatët, jo vetëm që i kanë përmbushur angazhimet e tyre, ata i kanë tejkaluar shumë ato. Ata kanë ofruar mbi 50 miliardë Euro, më shumë se gjysma e të cilave vjen nga aleatët evropianë dhe Kanadaja. Kjo dërgon një sinjal të qartë të angazhimit tonë të palëkundur ndaj Ukrainës”, tha Rutte.
Gjatë konferencës u shpreh se nëse Presidenti rus Vladimir Putin do të sulmonte NATO-n, reagimi i aleancës do të ishte “shkatërrues”.
I pyetur për një raport të ri të inteligjencës daneze që thotë se Rusia mund të nisë një luftë të madhe në Evropë brenda pesë viteve, Rutte tha se nuk dëshiron të komentojë gjithçka që del nga komuniteti i inteligjencës, por shtoi se ai i merr vlerësimet e tilla “shumë seriozisht”.
Klan News