28 persona kanë mbetur të plagosur pasi një makinë mori para turmën e njerëzve në Mynih.
Mediat gjermane shkruajnë se në mesin e të plagosurve dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore përfshirë një fëmijë që po lufton me jetën.
Drejtuesi i automjetit Mini Cooper hyri në mes të turmës teksa po zhvillohej një demonstratë nga punëtorët për rritje rroge në një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit gjerman. Kur makina kaloi pranë automjeteve të policisë po ecte me 50 km/orë drejt turmës.
Në fillim autoritetet kishin dyshimet e tyre nëse ngjarja ishte aksidentale, por të dhënat e fundit tregojnë se kemi të bëjmë me një ngjarje të qëllimshme. Mediat gjermane citojnë dëshmitarë okularë të ngjarjes të cilët rrëfejnë se drejtuesi i mjetit e kishte të organizuar sulmin.
Ky i fundit është një 24-vjeçar afgan i cili ishte me leje të përkohshme qëndrimi në Gjermani kërkesa e të cilit i ishte refuzuar.
Sipas Ministrit të Brendshëm, Joachim Herrmann, autori i dyshuar është i njohur për policinë. Sipas informacioneve të deritanishme, refugjati është kapur me drogë dhe vjedhje në të kaluarën.
Policia ka njoftuar se drejtuesi i mjetit është arrestuar dhe nuk ka më rrezik për qytetarët. Gjatë momentit të ndalimit të 24-vjeçarit pati edhe të shtëna me armë.
Mësohet se gjatë arrestimit të autorit ka patur një të shtënë arme nga policia drejt automjetit.
1.5 km nga vendi i ngjarjes do të mblidhet Konferenca e Sigurisë në Mynih ku merr pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe zv/presidenti i SHBA-së JD Vance.
Klan News