Ky shpërthim i fuqishëm mes një zone tepër të frekuentuar në Alepo, që mendohet të ketë shkaktuar dhjetëra të vrarë është një tjetër dëshmi e rikthimit të kaosit në Siri pas disa vitesh qetësie të brishtë.

Rebelët e grupit Hajat Tahrir al-Sham, të konsideruar terroristë nga Uashingtoni, Moska dhe Ankaraja vijojnë të përparojnë nga Alepo drejt jugut, duke zmbrapsur ushtarët e presidentit Bashar al-Asad.

Rusët, aleatë të Asadit kanë vijuar bombardimet e ashpra si në Alepo ashtu edhe në Idlib, një tjetër qytet verior i rënë në duart e rebelëve. Ushtria siriane po grumbullon trupa në Hama për një kundërofensivë të madhe në Alepo.

Nga Stambolli, kreu i grupimit më të madh opozitar sirian në arrati Hadi Bahra mbështeti ofensivën e rebelëve kundër Asadit dhe i bëri thirrje lëvizjes të mos ndalet deri në rrëzimin e regjimit të tij.

Ministri i Jashtëm i Iranit që po ashtu mbështet regjimin e Asadit, u takua në Ankara me homologun turk.

Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan bëri thirrje për pajtim mes qeverisë dhe opozitës. Nga kundërshtare e Asadit në revoltat e nisura në 2011, Turqia ka zbutur qëndrimin vitet e fundit.

Tv Klan