Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev kërkon nga Rusia që jo vetë të kërkojë falje, por edhe të dënojë përgjegjësit e rënies së avionit azer ditën e Krishtlindjes, që i mori jetën 38 personave si dhe të kompensojë shtetin dhe familjet azere të viktimave.

Kreu i shtetit azer foli në një fjalim televiziv, një ditë pas bisedës telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës, siç thuhet në një deklaratë të Kremlinit, Putin i kërkoi falje duke pranuar përgjegjësinë e palës ruse dhe shprehu ngushëllimet për viktimat.

Megjithatë, Alijev tha në mesazhin televiziv se pret që të përmbushen sa më shpejt edhe kushtet e tjera. Ai theksoi se e pranon faktin që avioni u qëllua gabimisht nga raketat ruse tokë-ajër të mbrojtjes ajrore që godisnin dronët ukrainas siç rezulton nga hetimet paraprake, ndërsa tha se kushtet e vëna prej tij janë procedura që ndiqen si zakonisht mes vendeve mike.

Avioni i Azerbaijan Airlines ishte nisur nga Bakuja drejt Groznit, por devijoi udhëtimin drejt Kazakistanit për shkak të motit të keq në kryeqytetin çeçen.

Tv Klan