Problemet e shëndetit mendor janë njësoj si problemet e tjera shëndetësore, ndaj dhe mjekët sugjerojnë që të kërkohet po ashtu ndihmë.
Vetë specializantët që ndjekin këtë pacientë po zgjerojnë gamën e mënyrave se si mund të trajtohen problemet me ankthin dhe depresionin.
Së fundmi, mjekët zvicerianë po përdorin artin si terapi dhe në recetë shpesh përfshihen edhe shëtitjet në kopshtet publike, por edhe vizitat në ekspozitat e artit.
Qyteti i Neuchatel në Zvicrën perëndimore nisi projektin pilot me mjekët muajin e kaluar me shpresën për të ndihmuar banorët që luftojnë me një sërë diagnozash dhe për të promovuar aktivitetin fizik.
“A ju pëlqen të vizitoni muzetë?”, e pyet mjekja Patricia Lehmann.
“Po, më pëlqen shumë”, përgjigjet pacientja.
“Duke ofruar një vizitë në muze, ajo mund të ndihmojë në mirëqenien e njerëzve apo edhe në procesin e shërimit, kështu që nëse jeni të interesuar, unë mund t’ju jap një recetë për këtë”, tha më tej mjekja Lehmann.
“Me kënaqësi. Mezi pres, do të më bëjë të dal dhe të shoh gjëra të tjera dhe gjithashtu të mësoj, do të jetë e dobishme. Kështu e mendoj”, shtoi pacientja.
Deri më tani, 500 nga këto “receta kulturore” po shpërndahen si pjesë e një projekti pilot njëvjeçar. Pacientët mund të vizitojnë katër vende, duke përfshirë kopshtin botanik të qytetit dhe tre muze.
Ideja e projektit është që t’u jepet pacientëve një moment lehtësimi nga dhimbja, ankthi dhe stresi, dhe të nxisë mirëqenien emocionale në një mënyrë që mjekësia nuk mund ta bëjë dot.
“I lejon njerëzit të shkeputen nga përditshmeria, i inkurajon ata të dalin nga shtëpia e tyre, të bëjnë disa ushtrime fizike, ndoshta kjo do të thotë shumë, por të paktën bëjnë disa hapa, të ecin. Për njerëzit që ndonjëherë kanë vështirësi me shëndetin e tyre mendor, kjo u lejon atyre që në një moment të harrojnë shqetësimet, dhimbjen dhe të përjetojnë një moment gëzimi”, shpjegoi mjekja Lehmann.
Vlen të theksohet se të gjitha këto vizita në vende të ndryshme ku pacientët mund të shijojnë artin janë falas.
“Unë zgjedh t’ua jap pacientëve të caktuar, padyshim, zbuloj nëse u pëlqen të shkojnë në muze apo jo. Unë përzgjedh njerëz ndoshta që kanë sëmundje kronike, njerëz që janë në situata të vështira sociale, gjendja financiare nuk është domosdoshmërisht më e mira”, tha Lehmann.
Për pacientë si kjo 26-vjeçare, mospranimi i problemit është një nga shkaqet kryesore pse është rënduar gjendja e saj.
“Është pak e sikletshme të flasësh për problemet e shëndetit mendor. Ka njerëz që nuk e dinë për situatën time në rrethin tim shoqëror, ose njerëz rreth meje. Për mua, problemet e shëndetit mendor nuk duhet të jenë më një tabu, ne jemi njerëz, kemi emocione. Ju mund të jeni mirë, por gjithashtu mund të ndiheni keq dhe duhet ti pranojmë gjërat negative që vijnë në jetën tonë”, tha pacientja.
Deri më tani kjo mënyrë e re e trajtimit të problemeve të saj ka rezultuar efektive.
“Në fillim, është e vërtetë që gjithçka duket e vështirë. Por me kalimin e kohës dhe më pas me faktin që ti merr guximin të dalësh jashtë, mendoj se sjell pak dritë në errësirë”, shtoi pacientja.
Programi u frymëzua nga një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2019 mbi rolin e artit në shëndet. Për shkak të masave të rrepta që u morën gjatë pandemisë së covid-19, kur muzetë u mbyllen shumë njerëz u ndjenë edhe më të izoluar.
“Përvoja e COVID na bëri të kuptojmë se sa ndikim ka pasur mbyllja e institucioneve kulturore në shëndetin mendor dhe shëndetin e popullatës në përgjithësi. Megjithëse njerëzit që punonin në këtë fushë dhe merreshin me të e dinin këtë, me covid-in, ne kishim vërtet prova se arti ishte shumë i rëndësishëm për mirëqenien e përgjithshme të njerezve”, u shpreh drejtoresha e kulturës Julie Courcier.
Julie Courcier Delafontaine e cila drejton departamentin e kulturës së qytetit, e bindur për vlerën e artit në shëndetin mendor të njerëzve, shpreson që projekti të mund të vijojë.
“Do të donim që ky projekt të merrte përmasa sa më të mëdha dhe të kishte pacientë të mjaftueshëm për të provuar vlerën e tij dhe se një ditë, pse jo, sigurimi shëndetësor të mund të mbulonte vizitat në vende kulturore si një formë terapie”, tha Courcier.
Projekti mund të zgjerohet në aktivitete të tjera, si teatri. Në një sistem shëndetësor ku shpesh mjekët fokusohen vetëm tek medikamentet, Neuchâtel po teston nëse arti, por edhe vetë natyra mund të jetë ilaçi më i mirë për njerëzit.
Klan News