Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët ëhstë shprehur se objektivi madhor i tij është ‘Made in Albania’.

Berisha shprehet se garanton se do të bëhet gjithçka që Shqipëria të shndërrohet në një prodhues të fuqishëm, eksportues të fuqishëm.

“Programi ynë ka për objektiv më madhor ‘Made in Albania’ dhe kur e them këtë kam parasysh prodhimin industrial në të gjitha llojet e industrisë, të lehtë, të rëndë etj. Unë ju garantoj se do të bëhet gjithçka që Shqipëria të shndërrohet në një prodhues të fuqishëm, eksportues të fuqishëm. Krijimi i zonave të lira ekonomike, krijimi i zonave industriale, kuadri fiskal më i favorshmi në Europë, energjia me çmimin më të leversishëm, me një çmim tre herë më të ulët se sa sot për bizneset, janë disa nga kushtet që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës në rajon për të investuar në uzina dhe fabrika, të industrisë së lehtë dhe të rëndë. Do të bëjmë gjithçka që prodhimet minerale shqiptare, të marrin përpunimin më të thellë se të eksportohen si mallra përfundimtare.

Do të bëjmë gjithçka për tërheqjen e kompanive më të mëdha në Shqipëri. Pra ‘Made in Albania’ e kemi shpallur, do të jetë sinonim i krenarisë shqiptare.  Ku e bazojnë ne këtë premtim?  Ne e bazojmë këtë premtim sepse në vitet 2005-2013, arritëm ndër të tjera, dy arritje shumë të mëdha. Së pari eksportet u rritën me 320%, dhe mandatin e dytë investimet  e huaja u rritën me 300-400% përqind. Pra ne krijuam faktikisht të gjitha premisat e Shqipërisë së prodhimit”, shprehet Berisha.

Ndër të tjera Berisha është pyetur edhe lidhur me mbylljen e TikTok, mbyllje të cilën e ka paralelizuar me vendimet e habitullahut të Kabulit. Sipas tij Rama me mbylljen e TikTok po tregon se po të ishin ligjet e vjetra, nuk do i dridhej dora të varte në litar, të gjithë ata që do e kritikonim dhe do kenin mendime ndryshe.

“Akti i Edi Ramës për mbylljen e Tik Tok është identik me vendimin e habitullahut të Kabulit dhe Ajetollahut të Teheranit për mbylljen e kësaj platforme të mrekullueshme. Edi Rama ka dhe një problem tjetër madhor në këtë qëndrim. Ftoj shqiptarët të mos harrojnë se në Gusht të vitit 1988, Kristaq Rama asokohe zëvendësi i Nexhmije Hoxhës dhe anëtar kryesor i presidiumit të Kuvendit Popullor, pra i Ramiz Alisë, firmos varjen në litar të poetit Havzi Nela për vargjet e tij kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së mendimit. Me aktin e tij, pas 37 viteve ndaj Tik Tok, Edi Rama dëshmon se po të ishin ligjet e vjetra, nuk do i dridhej dora të varte në litar njëlloj si i atij, njëlloj siç po vepron me Tik Tok, të gjithë ata që do e kritikonim dhe do kenin mendime ndryshe. Por sot të rinjtë kanë një protestë të madhe dhe kjo është protesta më e rëndësishme e jetës së tyre për lirinë e fjalës. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata dhe i garantoj se, me datën 12 Maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë”, thekson Berisha.

/tvklan.al