Përgjatë verës është raportuar se ka pasur shumë raste të pacientëve me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, kollë e temperaturë. Bruna Shiroka shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se situata ka qenë e pritshme dhe normale sa i përket fluksit të pritur. Mjekja shton se është Covid-i ai që ka shtuar numrin e rasteve, por është klasifikuar si virozë.
Bruna Shiroka: Jemi në një trend normal të një cikli biologjik normal të viruseve, të shkaktarëve të sëmundjeve qoftë me origjinë virale, bakteriale në popullatë, qoftë në atë pediatrike, por edhe te të rriturit. Kemi një trend në vazhdim, të pazhdukur ende të infektimeve nga Covid. Është një situatë e pritshme, normale, e vlerësuar në atë fluks që ne presim çdo fillim vjeshte. Sigurisht që mbivendosja e Covid i ka dhënë një tjetër grafik numrit të rasteve por shpesh ne i klasifikojmë si viroza të gjitha duke menduar dhe vlerësuar rastet e Covid që për hir të së vërtetës, vitin e fundit kanë qenë thuajse të ngjashme me virozat stinore.
Aldo: Pra kemi mbivendosje?
Bruna Shiroka: Themi që kemi viruset që kanë një cikël biologjik normal në këtë stinë, kemi një trend stanjativ të rasteve të infektuara me Covid, kemi dhe mbivendosje të sëmundjeve bakteriale të cilat mund të jenë edhe komplikacione të sëmundjeve virale, kryesisht moshat pediatrike dhe të rriturit që vuajnë me sëmundjet kronike që janë më të brishtë për shfaqjen e komplikacioneve apo infeksione bakteriale nga pakujdesitë, nga konsumimi i ushqimeve të pakontrolluara apo të infektuara nga shkaktarë të ndryshëm patogjenë, pra kemi një situatë, një grafik normale të shfaqjes së sëmundshmërisë së popullatës në këtë stinë.
Mjekja vlerëson ndërgjegjësimin e pacientëve për t’iu drejtuar më së pari bluzave të bardha, qoftë edhe për një komunikim të thjeshtë për lehtësimin e simptomave. Ajo thekson se është shumë e rëndësishme që pacientët të konsultohen me mjekun pasi ai është i vetmi që mund të përcaktojë trajtimin dhe kohëzgjatjen e tij.
Bruna Shiroka: Ndëhryrja e mjekut me elementë të thjeshtë, kurativë, simptomatikë, mund të shmangë dhe të parandalojë shfaqjen e komplikacioneve në ditët në vijim, ndaj është shumë e rëndësishme, sidomos te fëmijët e vegjël, kjo vlerësohet shumë herë më shumë që prindi të ketë një mundësi komunikimi qoftë për përdorimin e medikamenteve që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave siç fjala vjen, temperaturës që është gjëja e parë që shfaqet te fëmijët, mënyra sesi trajtohet, medikamentet që zgjidhen dhe koha e trajtimit me këto preparate është plotësisht e përcaktuar nga mjeku./tvklan.al