Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe vunë sanksione të reja ndaj Iranit pas sulmit kundër Izraelit. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit vuri sanksione ndaj 16 individëve dhe 2 entiteteve në Iran, që prodhojnë motorë për dronët që u përdorën në sulmin e 13 Prillit ndaj Izraelit.
Gjithashtu sanksione u vendosën edhe ndaj 5 kompanive, të cilat merren me prodhimin e çelikut, si edhe tre degë të kompanisë së prodhimit të automobilëve Bahman Group, që akuzohet se po mbështet me materiale të ndryshme ushtrinë e Iranit, si dhe grupe të tjera ndaj të cilave janë vendosur sanksione.
Ndërsa, Britania e Madhe vuri sanksione që prekin një sërë njësish ushtarake iraniane, individë dhe entitete të lidhura me industrinë iraniane për prodhimin e dronëve dhe raketave.
Presidenti Joe Biden tha përmes një deklarate se ka udhëzuar Departamentin e Thesarit të “vazhdojë të vendosë sanksione për të dëmtuar edhe më shumë industrinë ushtarake të Iranit”.
Krahas sanksioneve të Departamentit të Thesarit, Departamenti i Tregtisë po vendos masa të reja për të kufizuar qasjen e Iranit ndaj teknologjisë, si për shembull pajisjeve mikroelektronike, të cilat prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara, por duke përdorur teknologjinë amerikane.
Masat u zbatuan pasi më herët gjatë kësaj jave zyrtarë të Shteteve të Bashkuara paralajmëruan se po përgatiteshin për vendosjen e sanksioneve të reja në përgjigje të veprimtarisë së Iranit në rajon si edhe për të parandaluar sulme në të ardhmen.
Irani ka deklaruar se veprimet erdhën në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në konsullatën e tij në Siri në fillim të muajit.
Izraeli është zotuar se do të kundërpërgjigjet ndërsa udhëheqës botërorë kanë bërë thirrje për maturi, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Udhëheqësit e Bashkimit Europian u zotuan të mërkurën për shtimin e saksioneve ndaj Iranit, me objektiv dërgesat e tij me dronë dhe raketa për grupet e lidhura me Teheranin, në Gazë, Jemen dhe Liban.
Klan News