Përurimi i Presidentit Joe Biden të mërkurën dhe shumica që demokratët gëzojnë si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat, u jep atyre kontrollin e plotë të qeverisjes për dy vitet e ardhshme, deri në zgjedhjet e tjera për në Kongres. Kjo i jep mundësi zotit Biden të realizojë ndryshime të mëdha legjislative.
Ndërsa merr detyrën, Presidenti i SHBA Joe Biden përballet me sfida të mëdha – e para mes tyre: frenimi i koronavirusit që ka sjellë vdekjen e mëse 400,000 amerikanëve.
“Kjo kërkon që Kongresi të veprojë i bashkuar dhe të sigurojë financimin e duhur, paketën e ndihmës për COVID-in që unë do t’i dërgoj së shpejti Kongresit,” tha zoti Biden.
Por me nënpresidenten Kamala Harris dhe tre senatorë të rinj, demokratët tani kanë kontrollin e Senatit nën udhëheqësin e shumicës Chuck Schumer.
“Ky Senat do të trajtojë rreziqet e momentit: një krizë shëndetësore dhe ekonomike që vjen një herë në një gjeneratë. Dhe do të përpiqet të bëjë përparim në luftën për drejtësi racore dhe ekonomike, për barazi në mundësi dhe barazi sipas ligjit,” tha senatori Schumer.
Është një program ambicioz për demokratët, por kontrolli i Shtëpisë së Bardhë dhe i Kongresit i ndihmon që ta kenë rrugën të hapur.
“Duke e ditur që presidenti është i së njëjtës parti, ata e dinë se gjithçka që del nga Kongresi do të marrë nënshkrimin e tij në vend që të ketë dilema se ai mund t’i vërë veton. Pra, në thelb do të ketë një unitet dhe kontroll të axhendës,” thotë Casey Burgat i Universitetit George Washington.
Por demokratët kanë një shumicë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit. Gjjthashtu, republikanët do të jenë ende në gjendje të bllokojnë disa projektligje që kërkojnë 60 vota në Senat.
Në Dhomën e Përfaquesve, Kryetarja Nancy Pelosi ka vetëm disa vota epërsi. Ajo thotë se mund të gjenden mënyra për të punuar me ligjvënësit republikanë.
“Ne kemi përgjegjësi për të gjetur gjuhë të përbashkët atje ku mundemi,” tha ajo.
Miratimi i shpejtë i një pakete të re financiare për COVID-in është çështja e parë. Por edhe senati i ri me shumicë demokrate do të lëvizë shpejt për të konfirmuar të emëruarit e Kabinetit Biden.
Kontrolli i unifikuar gjithashtu i jep Kongresit aftësi më të madhe për sa i përket llogaridhënies, kontrolleve dhe balancave.
“Nuk ka shenjë më të rëndësishme të përgjegjshmërisë sesa kur Kongresi ngre akuza dhe zhvillon gjyq për presidentin. Nuk kemi parë asnjëherë që kjo të ketë ndodhur pasi një president është larguar. Kjo ka rëndësi, në mënyrë që asnjë president të mos mendojë se qëndron mbi ligjin,” thotë Casey Burgat i Universitetit George Washington.
Pavarësisht nga shumica e tyre e re, demokratët do të duhet të bindin të paktën 17 republikanë që të shpallin fajtor ish-Presidentin Donald Trump, nëse shpresojnë të mos e lejojnë atë të kandidojë përsëri./VOA