Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin vendimin e Këshillit Europian për të çelur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare, Ambasada e Shteteve të Bashkuara shprehet se SHBA do të mbetet partner i të dyja vendeve në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ambasada përcolli gjithashtu deklaratën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Bashkimit Operacion për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mezi presim të thellojmë partneritetin tonë strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa ata fillojnë hapat e ardhshëm në rrugën e tyre perëndimore. Ky vendim forcon më tej të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Vendimi gjithashtu nënvizon rëndësinë e Marrëveshjes historike të Prespës e cila i lejon Maqedonisë së Veriut të avancojë synimet e saj drejt Bashkimit Europian dhe ato transatlantike. Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partnere e palëkundur ndërkohë që dy qeveritë ndërmarrin reformat e nevojshme për të forcuar sundimin e ligjit dhe përpjekjet e mëtejshme antikorrupsion, rritin ekonomitë e tyre dhe forcojnë luftën kundër krimit të organizuar”.

Të dyja vendet duhet të qëndrojnë të përkushtuar në axhendat e tyre përkatëse të reformës dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen e palëkundur ndaj përpjekjeve të tyre në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo./tvklan.al