Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendosur në alarm, pasi një sulm terrorist si ai i Moskës rrezikon të ndodhë në vend.
Alarmin e ngriti drejtori i FBI-së, Christopher Wray pëpara përfaqësuesve të komisionit të Dhomës së Ulët të Kongresit që merret me ndarjen e fondeve për agjencitë federale.
Christopher Wray, drejtor i FBI: Kemi një shqetësim në rritje për mundësinë e një sulmi të koordinuar në vendin tonë, të ngjashëm me atë që ISIS-K kreu në një sallë koncertesh në Rusi, disa javë më parë.
Sipas tij rreziku vjen nga grupe ekstremistësh të frymëzuar nga lufta izraelite në Gaza, të cilët i shohin aktet e terrorit në Shtetet e Bashkuara si mundësi për t’u hakmarrë ndaj Izraelit. Drejtori i FBI-së kërkoi shtim të fondeve për të rritur aftësitë gjurmuese të agjencisë që ai drejton, përballë kërcënimeve terroriste.
Zbulimi amerikan ishte i saktë në parashikimin e sulmit terrorist në afërsi të Moskës. Por paralajmërimi i tyre dhe nga vendet e tjera ra në vesh të shurdhët, pasi autoritetet ruse nuk e morën parasysh për shkak të armiqësive në rritje mes dy fuqive botërore prej luftës në Ukrainë.
Klan News