Avionët luftarakë amerikanë kanë kryer një seri sulmesh ajrore në të gjithë Jemenin, duke vrarë të paktën 31 persona pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi grupin Houthi të mos sulmonte anijet që kalonin nëpër Detin e Kuq.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Houthi tha se edhe 101 të tjerë u plagosën nga sulmet. Grupi i cili filloi sulmet ndaj anijeve në përgjigje të luftës në Gaza tha se forcat e tij do t’i përgjigjen sulmeve të SHBA. Houthi-t raportuan një seri shpërthimesh në Sanaa dhe në provincën veriore të Saada, bastioni i rebelëve në kufirin me Arabinë Saudite.
Imazhet tregojnë shtëllunga tymi të zi mbi zonën e aeroportit të Sanaa, që përfshin një strukturë ushtarake. Në një deklaratë, Houthis fajësuan SHBA-në dhe Britaninë e Madhe për agresionin “e lig” që synon zonat e banuara në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa. Por Mbretëria e Bashkuar tha në një deklaratë se nuk mori pjesë në sulmet e SHBA-së kundër objektivave Houthi, por ofroi mbështetje për furnizimin me karburant për SHBA-në.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se qeveria amerikane nuk kishte “asnjë autoritet që të diktonte politikën e jashtme iraniane”. “T’i jepet fund mbështetjes për gjenocidin dhe terrorizmin izraelit. Ndaloni vrasjet e popullit jemenas”, postoi ai në X.
“Të financuar nga Irani, banditë Houthi kanë gjuajtur raketa aeroplanët amerikanë dhe kanë vënë në shënjestër trupat dhe aleatët tanë. Pirateria, dhuna dhe terrorizmi i tyre ka kushtuar miliarda dollarë dhe kanë vënë në rrezik jetë njerëzish”, shkroi Trump në platformën e tij sociale Truth Social.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio diskutoi gjithashtu me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov operacionet kundër Houthis. Rubio theksoi se sulmet e vazhdueshme të Houthi-ve ndaj anijeve ushtarake dhe tregtare amerikane në Detin e Kuq nuk do të tolerohen.
Izraeli ka kryer gjithashtu sulme ajrore kundër Houthis që nga korriku i vitit të kaluar. Kompanitë e mëdha të transportit detar janë detyruar të ndalojnë përdorimin e Detit të Kuq, përmes të cilit zakonisht kalon pothuajse 15% e tregtisë globale në det – dhe në vend të kësaj të përdorin një rrugë shumë më të gjatë rreth Afrikës Jugore.
Klan News