Një fermere në Malawi verior, Emily Nkhana dikur i hidhte bananet shumë të pjekura ose i linte të kalbeshin, por tani ka zbuluar një mënyrë se si të përfitojë prej tyre duke prodhuar verë bananeje.
Nxehtësia ekstreme i bënte bananet që të piqeshin tepër dhe shumë shpejt duke shkaktuar humbje të mëdha për Nkhana dhe fermerë të tjerë në Karonga. “Më pas zbuluam si të bënim verë bananeje”, i rrëfen ajo BBC teksa qëron limonë për të ruajtur shijen e bananeve.
Për fermerët kjo s’është vetëm një proces prodhimi, por edhe mbijetesë, rezistencë dhe përqafimi i mundësive të reja që vijnë me ndryshimin e klimës.
Ata i ndërtonin fermat në brigjet e liqenit Malaui dhe plantacionet e bananeve përmbyteshin nga niveli i lartë i ujit gjatë shirave duke i detyruar të zhvendoseshin më lart, por në terren më të nxehtë ku temperaturat arrijnë në 42 gradë Celsius.
“Në fermën e vjetër, sfida ishte uji i liqenit. Disa banane zhyteshin në ujë. Disa s’mund të shiheshin se ku ishin mbjellë. Këtu kemi shumë nxehtësi. Kjo i bën bananet të piqen shpejt dhe më pas hidhen”, thotë Nkhana. Ajo është pjesë e një grupi grash që janë bërë bashkë në kooperativë për të përmirësuar kushtet e tyre ekonomike përmes bujqësisë.
Prodhimi i verës është një biznes i vogël në kopshtet e tyre të pasmë ku mbjellin pemë bananeje. I gjithë procesi ndodh në një shtëpi të vogël me katër dhoma në Mchenjere.
Procesi është i thjeshtë: bananet tejet të pjekura qërohen, copëtohen, peshohen dhe përzihen me sheqer, maja, rrush të thatë, ujë dhe mbulohen me limonë. Përzierja lihet të fermentohet për disa javë dhe kjo e shndërron tulin e bananeve në një verë të fortë, aromatike me 13% alkool, e ngjashme me verën që përftohet nga rrushi.
“Është verë me cilësi shumë të mirë. Duhet ta pish duke qëndruar ulur që të mund të shijosh ëmbëlsinë e saj”, sqaron Nkhana.
Vera e bananes mund të tingëllojë e pazakontë për ata që janë mësuar me shijen e verës tradicionale, por ata që e provojnë nuk zhgënjehen aspak. Vera ka një ngjyrë në të verdhë të zbehtë ose në të artë të thellë, ka shije disi të ëmbël, frutore limoni të lehtë dhe bananeje që shpesh shoqërohen nga një aromë e lehtë.
Sipas Nkhana dhe fermereve të tjera, çelësi për një verë të mirë bananeje është baraspesha e ëmbëlsisë dhe aciditetit. “Koha është gjithçka. Duhet të dish kur është periudha më e mirë e bananeve. Kur janë shumë të pjekura vera bëhet shumë e ëmbël dhe kur janë shumë të gjelbra, del shumë e thartë”.
Vera e bananes në Malawi është pritur me entuziazëm nga prodhuesit dhe konsumatorët. Në dyqane, shishet shiten me 3 dollarë dhe prodhuesit duan të tregojnë krijimet e tyre më të fundit.
Nkhana thotë se prodhimi i verës ka shndërruar jetën e saj dhe të grave të tjera. “Disa prej nesh ndërtuan shtëpi, disa kanë bagëti e disa pula. Mund të hamë vakte të plota”.
Njësia e tyre prodhon 20-50 litra në muaj dhe shpreson të blejë makineri për të ndihmuar që të zgjerohen. Plani i radhës është që nga një punishte e vogël të kthehet në një fabrikë si dhe i kanë kërkuar Byrosë së Standardeve për të miratuar eksportin./tvklan.al