“Çmimi i bananeve do të rritet si pasojë e ndryshimeve klimatike”, kështu është shprehur një nga ekspertët më të mirë për BBC News.
Eksperti i ekonomisë, Pascal Liu, thotë se ndikimet klimatike përbëjnë një kërcënim të madh për furnizimin, duke ndikuar në përhapjen e sëmundjeve. Pritet që një forum i posaçëm të mblidhet në Romë gjatë ditës së sotme për të trajtuar pikërisht këto sfida për shitjen e bananeve.
Me mbështjellësin e saj të verdhë natyral, banania është fruti më i eksportuar në botë. Ekspertët janë të shqetësuar për kërcënimet në rritje nga një botë që po ngrohet dhe nga sëmundjet që po përhapen pas saj.
“Unë mendoj se ndryshimi i klimës është me të vërtetë një kërcënim i madh për sektorin e bananeve,” tha Liu i Forumit Botëror të Bananës, një grup i OKB-së që bashkon palët e interesuara të industrisë duke përfshirë shitësit me pakicë, vendet prodhuese, eksportuesit dhe institucionet kërkimore.
Kërcënimi më i madh i menjëhershëm është fakti se temperaturat në rritje po ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve. Ai që shkakton më shumë shqetësim është “Fusarium Wilt TR4”, një infeksion mykotik, i cili është zhvendosur nga Australia dhe Azia në Afrikë dhe tani në Amerikën e Jugut.
Pasi një plantacion preket, ajo “vret” të gjitha pemët e bananeve dhe ekspertët thonë se është jashtëzakonisht e vështirë për t’u hequr. Prodhuesit po përballen gjithashtu me presione nga rritja e kostove të plehrave, energjisë dhe transportit, si dhe probleme në gjetjen e punëtorëve të mjaftueshëm.
Marrë së bashku me ndikimet e ndryshimeve klimatike në furnizim, çmimet e bananeve kanë të ngjarë të rriten. Ndër çështjet që industria e bananeve do të diskutojë në mbledhjen e saj në Romë është edhe ajo e qëndrueshmërisë./tvklan.al