Të ftuar:
Joana Kume – mjeke
Ilda Kaci – fizioterapiste
Gazetare: Agida Koçi
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Sekreti për të shijuar mëlçitë e pulës të buta me qepë
700 gr mëlçi pule
3 thelpinj hudhra
3-4 qepë mesatare
Kripë dhe piper të zi
Kumin
1 spec pikant
1 lk piper të kuq
1 lgj gjalpë
Vaj ulliri
2 lgj majdanoz
Në një tigan të thellë ngrohim vajin dhe kaudisim fillimisht hudhrat e prera në feta për 1-2 minuta. Shtojmë qepët e prera në fijë dhe vazhdojmë kaurdisjen derisa qepa të zbutet dhe të fillojnë të zverdhen pak. Shtojmë mëlçitë të prera në kubik ose në copa të mëdha si të preferoni. I lëmë sa të ndryshojnë ngjyrë nga njëra anë e më pas i përziejmë duke i vendosur kapakun.
Nëse dëshironi mund të shtoni pak spec pikant të freskët. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi. Shtojmë gjalpin dhe përsëri e mbulojmë me kapak për 5 minuta. Shtojmë pak piper të kuq dhe i përziejmë për 1 min. Gati për t’u shërbyer. Mund ta shërbejmë në qepë në fije përzierjen me majdanoz dhe domate qershi + vaj ulliri.
Byrek i shpejtë me proshutë dhe djathë
6-7 peta byreku
2 vezë
Gjysmë gote kos
Gjysmë gote qumësht
Gjysmë gote ujë të gazuar
Gjysmë gote vaj
Kripë
1 lç pluhur pjekës
1 lç miell
Për mbushjen
250 gr proshutë viçi e tymosur
200 gr djathë
2 speca mix
Fillimisht në një tas përziejmë vezët, qumështin, kosin, ujin e gazuar, vajin, kripën, miellin dhe pluhurin pjekës. Të gjithë këta përbërës i përziejmë dhe i lëmë mënjanë për të spërkatur petët. Lyejmë një tavë me vaj. Vendosim në tavë një petë, e spërkatim me salcën e përgatitur e më pas vendosim një petë tjetër. Djathin dhe proshutën e grijmë në rende ose në kubikë të vegjël dhe specat i grijmë në kubikë të vegjël. Nëse byrekun e përgatisim në tavën e kekut, pjesën tjetër të petave e presim në shirita me gjerësi 1 cm dhe fillojmë të alternojmë. Shtojmë mbi petët që shtruam proshutën dhe e mbulojmë me pak peta të prera. Vendosim djathë të përzier me spec e më pas përsëri proshutë me pak djathë. Mbulojmë tavën me pjesët anësore të petëve të tjera. Në çdo shtresë petash do të spërkatim me salcën e përgatitur. Po ashtu dhe në fund e pjekim në temperaturë 200 gradë për 25-30 minuta.
Akupunktura dhe përfitimet kryesore të saj
Demonstrojmë live në studio aplikimin e akupunkturës
Nga moshat e treta te menstruacionet e migrena, si mund t’ju ndihmojë “terapia e dhimbjes”
Akupunktura njihet si “terapia e dhimbjes” për shkak se synon ta largojë nga trupi. Gjilpërat e vogla synojnë pika të caktuara të trupit duke trajtuar probleme të ndryshme, paralelisht me kurën mjekësore të pacientit.
Mjekja Joana Kume e cila e aplikon akupunkturën, shpjegoi në “Shije Shtëpie” në Tv Klan sesi kjo terapi ndihmon në paralizat faciale, ‘lifting’ e fytyrës, dhimbjet muskulare, edemat, stimulimin e shërimit të plagëve dhe sëmundjeve të lëkurës e një mori përfitimesh të tjera. Ajo theksoi disa herë përfitimet e akupunkturës te mosha e tretë ku qelizat mund të riaktivizohen.
Joana Kume: Insistoj te mosha e tretë. Kudo që të vëmë gjilpërë, atë e ndihmon, kudo sepse edhe kemi një numër më të madh patologjish, qarkullimi i gjakut ka rënë, duart janë më të zbardhura, më të zbehta, këmbët, gjymtyrët, gjunjët, kemi sëmundje degjerative, fillon dhe degradon trupi, kështu që ne çfarë bëjmë? I riaktivizojmë këto qeliza të trupit që të mos degradojnë dhe të jenë aktive.
Terapia hormonale dhe lehtësimi i dhimbjeve të ciklit menstrual është një tjetër mënyrë për të gjetur ndihmë te akupunktura.
Joana Kume: Në dhimbjet menstruale jep rezultate shumë të mira dhe të shpejta, si tek vajzat e reja të cilat kanë vezore policistike, sikundër edhe te gratë dhe nënat e reja që kanë dhimbje të forta gjatë periudhës së ciklit. Ato i punojmë 2-3 ditë përpara ciklit. Përse? Të japim një çlirim të hormoneve në zonë, të fillojë hemorragjia dhe të qetësohen kontraksionet që ka barku duke liruar mitrën. Në momentin që lirohet mitra, fillon hemorragjia, lirohet barku dhe ka më pak dhimbje.
Terapia për menstruacionet këshillohet që të zgjasë rreth 6 muaj. Për ata që vuajnë nga migrena, mundet gjithashtu të zgjedhin akupunkturën për ta trajtuar.
Joana Kume: Në rastin e migrenës, migrena mund të jetë thjesht migrenë si patologji ose migrenë e shoqëruar me dhimbje muskulare. Në migrenë kemi një ulje të qarkullimit të gjakut në kokë, ulje të oksigjenit në kokë. Kjo mungesë oksigjeni jep këto dhimbje. Nëse ne kemi edhe probleme të cervikales, kontraktime të muskujve në pjesën e pasme të qafës dhe aty kalojnë vazat qendrore dhe shtrëngojnë akoma më tepër, e shumëfishojmë ose ulim akoma më tepër këtë oksigjen që do të shkojë në kokë kështu që rëndohet akoma më tepër. Episodet janë më të forta, më të shpeshta dhe më të dhimbshme, intensiteti i dhimbjes është shumë i madh. Duhet punuar në sistem. Lirojmë muskulaturën e pasme plus protokollin e migrenës që është i caktuar. Seancat do të jenë më të shpeshta, nëse kemi vetëm migrenë janë më të pakta, por çdo person është unik.