Akupunktura njihet si “terapia e dhimbjes” për shkak se synon ta largojë nga trupi. Gjilpërat e vogla synojnë pika të caktuara të trupit duke trajtuar probleme të ndryshme, paralelisht me kurën mjekësore të pacientit.
Mjekja Joana Kume e cila e aplikon akupunkturën, shpjegoi në “Shije Shtëpie” në Tv Klan sesi kjo terapi ndihmon në paralizat faciale, ‘lifting’ e fytyrës, dhimbjet muskulare, edemat, stimulimin e shërimit të plagëve dhe sëmundjeve të lëkurës e një mori përfitimesh të tjera. Ajo theksoi disa herë përfitimet e akupunkturës te mosha e tretë ku qelizat mund të riaktivizohen.
Joana Kume: Insistoj te mosha e tretë. Kudo që të vëmë gjilpërë, atë e ndihmon, kudo sepse edhe kemi një numër më të madh patologjish, qarkullimi i gjakut ka rënë, duart janë më të zbardhura, më të zbehta, këmbët, gjymtyrët, gjunjët, kemi sëmundje degjerative, fillon dhe degradon trupi, kështu që ne çfarë bëjmë? I riaktivizojmë këto qeliza të trupit që të mos degradojnë dhe të jenë aktive.
Terapia hormonale dhe lehtësimi i dhimbjeve të ciklit menstrual është një tjetër mënyrë për të gjetur ndihmë te akupunktura.
Joana Kume: Në dhimbjet menstruale jep rezultate shumë të mira dhe të shpejta, si tek vajzat e reja të cilat kanë vezore policistike, sikundër edhe te gratë dhe nënat e reja që kanë dhimbje të forta gjatë periudhës së ciklit. Ato i punojmë 2-3 ditë përpara ciklit. Përse? Të japim një çlirim të hormoneve në zonë, të fillojë hemorragjia dhe të qetësohen kontraksionet që ka barku duke liruar mitrën. Në momentin që lirohet mitra, fillon hemorragjia, lirohet barku dhe ka më pak dhimbje.
Terapia për menstruacionet këshillohet që të zgjasë rreth 6 muaj. Për ata që vuajnë nga migrena, mundet gjithashtu të zgjedhin akupunkturën për ta trajtuar.
Joana Kume: Në rastin e migrenës, migrena mund të jetë thjesht migrenë si patologji ose migrenë e shoqëruar me dhimbje muskulare. Në migrenë kemi një ulje të qarkullimit të gjakut në kokë, ulje të oksigjenit në kokë. Kjo mungesë oksigjeni jep këto dhimbje. Nëse ne kemi edhe probleme të cervikales, kontraktime të muskujve në pjesën e pasme të qafës dhe aty kalojnë vazat qendrore dhe shtrëngojnë akoma më tepër, e shumëfishojmë ose ulim akoma më tepër këtë oksigjen që do të shkojë në kokë kështu që rëndohet akoma më tepër. Episodet janë më të forta, më të shpeshta dhe më të dhimbshme, intensiteti i dhimbjes është shumë i madh. Duhet punuar në sistem. Lirojmë muskulaturën e pasme plus protokollin e migrenës që është i caktuar. Seancat do të jenë më të shpeshta, nëse kemi vetëm migrenë janë më të pakta, por çdo person është unik./tvklan.al