Të ftuar:

Fjorza Mullahaj – Sipërmarrëse

Alda Shehi – Gazetare

Burbuqe Spahiu (Lukacevic ) – Producente

Olsi Beci – Videographer

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Tartë me sherbet dhe çokollatë

250 gr margarinë

200 gr sheqer

6 vezë

1 lugë kafe vanilje

200 ml qumësht

400 gr miell për kek

70 gr copëza të holla çokollate

-Sherbeti

400 gr sheqer

300 ml ujë

1 lugë gjelle lëng limoni

-Dekori

250 gr çokollatë

100 ml qumësht

1 lugë gjelle gjalp

Tepsi 32 x 25 cm

Fillimisht në një tas ose robot kuzhine vendosim margarinën në temperaturë ambjenti. Shtojmë sheqerin dhe i përziejmë për pak minuta derisa të lidhen mirë dhe sheqeri të tretet. Shtojmë një nga një vezët ( jo njëherësh ) në një interval kohe 1 minutë nga njëra tjetër. Aromatizojmë ëmbëlsirën me 1 lugë kafe ekstrakt vanilje më pas shtojmë miellin  e posacëm për kek në fund, në fund shtojmë grimcat e cokollatës. E përziejmë brumin me spatul.

Lyejmë një tepsi me margarinë dhe e pudrosim me miell. Vendosim tavën në furrë në temperaturën 180 gradë për 40 min. Ndërkohë vendosim përbërësit e shërbetit në një tenxhere dhe duke e përzierë e lëmë të valojë për 6-7 minuta, më pas e lëmë të ftohet. Pasi baza e ëmbëlsirës të piqet e lëmë të ftohet, e presim në racione dhe shtojmë sherbetin e vakët. E lëmë të ftohet plotësisht. Vendosim në një tigan salce çokollatën e copëtuar + qumështin + gjalpin dhe e shkrijmë në temperaturën mesatare, pasi ëmbëlsira të jetë ftohur mbulojmë sipërfaqen e saj me cokollatën e shkrirë. E sherbejmë të ftohtë plotësisht.

Patate me brokoli dhe djathë (në furrë)

1 kg brokoli

1 kg patate

50 gr gjalp

50 gr miell

500 ml qumësht

50 gr parmixhano

Kripë + arrë moskat

Vaj ulliri

100 gr mozzarela

Fillimisht pastrojmë brokolin duke e prerë atë në lule të vogla, e shpërlajmë në ujë të bollshëm e më pas e vendosim në ujë të valuar vetëm 2 minuta e më pas e kullojmë dhe e grijëm në copëza të vogla. Patatet i qerojmë dhe i presim në feta të holla, i vendosim dhe këto në ujë të valuar me kripë vetëm 4-5 minuta e më pas i kullojmë. Në një tigan salce shkrijmë gjalpin, kaurdisim miellin për 3 min e shuajmë me qumësht, e përziejmë vazhdimisht derisa beshameli të valojë. Rregullojmë shijen me kripë dhe arrë moskat duke shtuar në fund dhe pak parmixhano të grirë hollë duke e përzierë mirë.

Në një tavë keku unazë shtrojmë letër pjekje, pak vaj ulliri, shtojmë 2 luhë gjelle beshamel e hapim në të gjithë sipërfaqen e më pas mbulojmë të gjithë bazen e tavës me feta patate, spërkasim përsëri ato me pak beshamel dha djathë. Mbi to shtojmë një shtresë me brokoli përsëri pak beshamel dhe kështu vazhdojmë derisa në përfundim duke e alternuar me një shtresë patate, beshamel, djathë e më pas brokoli. Në fund spërkasim pak beshamel dhe djathë mozzarela. Vendosim tavën në furrë në temperaturën 180 gradë për 35 – 40 minuta. Pas përfundimit e lëmë të pushojë 10 minuta e më pas presim në feta si të një keku.

Çfarë është manifestimi?

Katerina Trungu shpreh dëshirën: Vitin tjetër do të jem bashkëprezantuese te “Kënga Magjike”

Manifestimi dhe fuqia e tij për të realizuar ëndrrat që i  kërkojmë universit janë tema e ditës në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan. gazetarja Alda Shehi thotë se për të, manifestimi ka funksionuar. Ajo tregon se vite më parë, ndërsa ndiqte spektaklin e “Këngës Magjike”,  shprehu dëshirën që vitin e ardhshëm të ishte jo shikuese, por të punonte për të dhe ashtu ndodhi.

Alda Shehi: Unë jam prodhim i Tv Klanit, para shumë kohësh. Takimi i parë që kam pasur ishte “Kënga  Magjike” me zotin Gjebrea. Kam qenë në Pallatin e Kongreseve dhe kam thënë “vitin tjetër unë do të punoj për Arditin”, me timen, kam qenë shumë e vogël në atë kohë. Dhe thashë “pse çfarë kam unë më pak që të punoj aty, mos ta shikoj nga këtu, por ta shikoj në brendësi”.  Dhe realisht, pas një viti të “Këngës Magjike”, unë fillova të punoja për “Këngën Magjike”.

Siç shpjegoi Fjorza Mullahaj, gjatë manifestimit është shumë  i rëndësishëm përcaktimi i një afati se kur do ta realizojmë këtë dëshirë. Në rastin e Aldës, ajo është shprehur “vitin tjetër” dhe manifestimi është vokalizuar si duhet. E meqë metoda ka funksionuar, edhe moderatorja e programit, Katerina Trungu, e ndjek për të shprehur dëshirën që të jetë bashkëprezantuese në edicionin e ardhshëm të “Këngës Magjike”, krah Ardit Gjebreas.

Katerina Trungu: Meqë jemi te “Kënga Magjike”, unë vitin tjetër do të jem bashkëprezantuese me zotin Gjebrea te “Kënga Magjike”.

Alda Shehi: Oh sa mirë!

Ermelinda Ndoja: Urime atëherë!

Katerina Trungu: Manifestova!

Fjorza Mullahaj: Shihe, e ke edhe qiririn.

Katerina Trungu: Po u bë, e kam me fakte, me dokument.

Si të manifestoni çdo gjë që dëshironi: Dashurinë, paratë dhe ëndrrat