Kjo histori që ngjan surreale, tregon se si një vendim mund të të marrë jo vetëm ëndrrat, por edhe jetën! Abu dhe Mahafuza Hayat u shpërngulën nga Bangladeshi për në Australi, në një vend me mundësi shumë më të mëdha. Për më shumë se 10 vite gjithçka shkoi për mrekulli. Vajza e tyre e madhe Arnima ishte studente ekselente e Mjekësisë, ndërsa çifti hapën një dyqan e njëkohësisht kujdeseshin për vajzën tjetër, 8 vjeçe. Në vitin 2021, Arnima njihet me Zafar e në pak kohë ata kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë, sipas riteve fetare islame.

Ata nisën të jetonin në një apartament në Sydney, kohë kur Arnima u shkëput totalisht nga familja dhe miqtë e saj. Ajo nuk komunikonte dot me ta, dhe duhet t’i merrte leje burrit të saj edhe për të dalë nga shtëpia. Në Janar 2022, edhe pse nga një marrëdhënie abuzive, ajo po priste një fëmijë.

Siç shkruan Mirror Uk, ishte pikërisht kjo periudhë që e reja mori guximin të rrëfente dhunën nga i shoqi. Më 29 Janar të atij viti, ajo i shkruan një mikes së afërt “se nuk ka njeri tjetër përveç saj”, duke konfirmuar se donte t’i jepte fund asaj martese. Përgjigja që mori ishte: “Nuk ke zgjidhje tjetër, duhet të rrish me të”. Mesazhi që shkroi Armina ishte: “Unë e urrej atë, nuk e dua një djalë si ai”.

Ky do të ishte mesazhi i fundit për 20 vjeçaren. Sipas hetuesve, bashkëshorti i saj e vrau vetëm 45 minuta më vonë dhe trupin e saj e “shkriu” me rreth 100 litër acid klorhidrik në vaskën e tualetit. Ishte nëna e Zafar, ajo e cila alarmoi policinë për rastin. Kur policia mbërriti në apartamentin e çiftit, gjithçka kishte përfunduar. Ata gjetën trupin e pajetë thuajse të shpërbërë, aq sa ishte e pamundur ta identifikoje.

Zafar u kap 20 orë më vonë, ndërsa në telefonin e tij kishte kërkuar informacion ekzaktësisht kështu: “A mund të djegë totalisht lëkurën acidi klorhidrik?” dhe “Sa vite dënohesh në Sydney për vrasje?”

Edhe pse çdo provë vërtetonte krimin monstruoz, ai e pranoi vrasjen në Maj të vitit të shkuar. Në Dhjetor 2024, u dënua me 21 vite e 6 muaj burg. Në sallën e gjyqit, babai i së ndjerës iu drejtua me fjalët: “ai dogji fytyrën që unë e puthja çdo natë”.

/tvklan.al