Drejtori i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra, zbuloi detaje nga gjendja e Kombëtares shqiptare, në prag të sfidës së parë në Ligën e Kombeve, ndaj Ukrainës.

Sipas tij, ekipi është në gjendje shumë të mirë dhe nuk ka probleme me dëmtimet.

Kodra theksoi se Liga e Kombeve, është një mundësi e mirë, për të synuar kualifikimin për në Botëror.

“Gjendja e skuadrës është e mirë. Gjithçka ka shkuar sipas programit. Stafi ka bërë provat e fundit teknike, për fatin e mirë nuk kemi probleme fizike. Ka atmosferë të mirë. Ka një formë fizike të mirë të lojtarëve. Kjo skuadër mund ta nisë shumë mirë Ligën e Kombeve. përballë është një kundërshtar shumë i fortë. Ukraina është një nga kundërshtarët më të fortë në grup.

Liga e Kombeve, të jep një mundësi të kalosh në “play off”-in e Botërorit, nëse Shqipëria renditet në vendin e parë dhe është mes më të mirave në Ligën B. Paraqitja e mirë dhe pozicionimi i mirë në këtë kompeticion. Të jep një mundësi për të shkuar në “play off” të Botërorit. Këto ditë stafi ka komunikuar me lojtarët dhe të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë e kompeticionit. Është një mundësi e mirë për të kaluar edhe në Ligën A, ku mund të përballesh me ekipe më të mëdha Europiane.”, tha ai.

I pyetur për tifozët, Kodra u shpreh se stadiumi do të jetë i mbushur në kapacitet maksimal dhe pritet të jenë më shumë se një mijë shqiptarë.

“Stadiumi pritet të jetë i mbushur plot. Praktikisht, janë të paktën 1 mijë tifozë shqiptarë të konfirmuar. Në fakt pritet të kemi një numër të madh, pasi ka shqiptarë, që kanë pasaporta të tjera. Është e sigurt që do të jenë më shumë se një mijë. Ka interes të madh. Ka shumë tifozë që kanë ardhur në Pragë. Pritet një atmosferë shumë e mirë. Ka interes të lartë dhe pritshmëri pozitive nga tifozët.”, deklaroi Kodra.

Sfida Ukrainë-Shqipëri, do të luhet mbrëmjen e kësaj të shtune, në orën 20:45, ndërsa transmetohet falas dhe pa pagesë në Tv Klan.

/tvklan.al