Safet Gjici dhe Alma Kaçi i qëndruan kërkesës së seancës paraprake për gjykim të shkurtuar. Prokuroria thotë se nga hetimet, raporton gazetarja Glidona Daci, rezultoi një bisedë e zhvilluar mes Alma Kaçit dhe Safet Gjicit në zyrën e tij, ku Gjici pas favorit seksual, e drejtoi Almën te Granit Gjana, për të folur mbi tenderin për strehimin e qenve endacakë.

Në banesën e Kaçit u gjet një USB, që përmbante filmimin bruto të aktit seksual në zyrën e Bashkisë.

Kaçi kur është marrë në pyetje është shprehur se filmimin e ka bërë në kuadër të emisionit investigativ “Fiks Fare”, pasi sipas saj ishte gazetare e padeklaruar investigative në këtë emision.

Në telefonin e Kaçit, që u sekuestrua në kuadër të hetimeve, u gjetën biseda mes saj dhe gazetarëve të “Fiks Fare”, ku Kaçi fliste për këtë filmim. Sipas SPAK, filmimi u bë me vullnet të plotë nga ana e Kaçit, për ta dokumentuar.

Daci thotë se nga hetimet del në pah edhe emri i ish-kryetarit të qarkut Kukës Abedin Oruçi. Kjo pasi siç pretendon Kaçi, ai ia ka marrë USB-në me forcë.

Edhe pse pretendimi i Alma Kaçit është i fortë dhe nuk është provuar ende, pse Abedin Oruçi mund të ketë pasur interes të sigurojë një material të tillë filmik?

Sjellim në kujtesë një konflikt mes tij dhe ish-kryebashkiakut të Kukësit kohë më parë. Më 19 Tetor të 2020-ës u raportua në media se Oruçi kanosi Gjicin dhe truprojën e këtij të fundit. Ishte pikërisht ky moment që pasoi me një sërë problemesh për ish-drejtuesin e qarkut të Kukësit (në detyrë nga viti 2015-2019).

Ai u shpall i kërkuar nga blutë derisa në 13 Janar të 2021-it u mësua se ai ndodhej në një hotel pranë urës së Drinit të Zi. Asokohe Oruçi kundërshtoi me forcë efektivët, madje të afërm të tij patën përleshje me policinë duke i kërcënuar me armë zjarri. Ishin këto përleshje që i mundësuan atij arratisjen. Edhe pse provat ishin të shumta, më 17 Qershor të po atij viti, prokurori i kërkoi Gjykatës së Kukësit që çështja ndaj tij dhe personave të tjerë të pushohej.

Në deklaratat e tij të mëhershme Oruçi i ka cilësuar të gjitha akuzat ndaj tij si politike, duke “i drejtuar gishtin” Safet Gjicit. Madje kur është pyetur pse mbante armë pa leje, ai ka thënë: “Po kam pasur gjithmonë probleme, se po të kesh zë ndryshe kundër kryetarit të bashkisë do të jesh i kërcënuar.”

Vlen të përmendim po ashtu se Oruçi doli i treti me më shumë vota në Kukës gjatë zgjedhjeve lokale të këtij viti, ndërsa Gjici siguroi një tjetër mandat në krye të bashkisë./tvklan.al