Për mbi 5 orë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u pyet nga hetuesit e posaçëm në SPAK në kuadër të një hetimi pasuror të nisur disa muaj më parë. Ai u fut në Prokurorinë e Posaçme në orën 09:00 të mëngjesit, pa avokat, por i shoqëruar nga njerëz të stafit të tij në Bashki.
Kryebashkiaku doli nga ambientet e godinës së qelqtë, në orën 14:15 minuta dhe zgjodhi të mos i përgjigjet menjëherë interesit të medias. Jashtë derës u prit edhe nga protestues të opozitës.
Shpjegimet zgjodhi t’i japë gjatë pasdites në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku tha se është denoncuar nga një njeri që nuk ekziston.
“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, që është një personazh që nuk ekziston. Për të na kthyer mallin e letrave anonime!”
Tha se pasuria e tij është publike dhe nuk ka çfarë të fshehë.
“E di gjithë Tirana ku jetoj unë, ku banoj unë. Ku isha përpara zgjedhjeve, ku vazhdoj pas zgjedhjeve dhe ku do jem deri në fund të kësaj detyre”.
Një përgjigje pati edhe për opozitën, përfaqësuesit e të cilës në sallë kërkuan që Veliaj të mos bënte deklarata për çështje personale në këtë mbledhje.
“Unë hyj te ajo rracë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut skap kur s’i intereson, dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet. Këtu do jemi, në Maj do ju mundim! Me gjithë letra anonime“.
Të hënën, në pyetje për këto hetime u mor edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.
Në 6 Dhjetor SPAK ushtroi kontroll personal ndaj Xoxës ku i sekuestroi telefonin. Kontrolle u ushtruan gjithashtu edhe në disa ambiente në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj.
Kontrollet dhe sekuestrimet u kundërshtuan gjyqësisht prej tyre me argumentet se ishin të paligjshme, por ankimet u rrëzuan nga gjykata.
Tv Klan