Mes tyre edhe 3 ish-drejtorë, akuzohen për korrupsion dhe fshehje pasurie për dosjen “5 D”

Pas denoncimeve të bëra nga opozita, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lëshuar 9 masa sigurie për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës në lidhje me dosjen “5 D”, 3 prej tyre arrest me burg ndërsa 5 zyrtarë me sigurim paraqitje.

“Arrest me burg”
Mariglen Qato- ish drejtor i IMT
Redi Molla- ish drejtor i UKT, Tiranë
Taulant Tusha – ish-drejtor i Punëve Publike

“Detyrim paraqitje”
Enton Punavija
Julian Zanaj
Albano Janku
Nestor Muhamellari
Eglantina Zere – Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit
Deborah Keçi – drejtuese e “Klubit Sportiv Tirana”

Mes të arrestuarve janë ish-drejtori i IMT-së, Mariglen Qato dhe ish-drejtori i UKT-së Redian Molla.
Sipas SPAK, një kompani e drejtuar në mënyrë të fshehur nga Mariglen Qato, ish drejtor i IMT dhe Redi Molla, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve, fitoi që prej 2016 deri në 2020 tendera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj.

Në kuadër të të njëjtit hetim një masë e dytë sigurimi u lëshua edhe për Taulant Tushën, ish-drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Punëve Publike, me dyshimet se ka shkelur barazinë në tendera duke favorizuar kompaninë e Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, “5D Konstruksion”. Tusha ndodhet aktualisht në qeli për shkak të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK thotë se hetimet e kryera treguan se nga viti 2016 deri në 2020, gjatë kohës që Redi Molla, mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, kjo shoqëri ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 tendera të shpallura nga ujësjellës-kanalizimet.

4 tendera të tjerë, e njëjta kompani i ka fituar në kohën kur Mariglen Qato, mbante detyrën Drejtorit të Departamentit Mbështetës pranë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe autoritet kontraktor ishte kjo e fundit. Ndërkohë, SPAK thotë se ish zyrtarët Bashkisë, Taulant Tusha dhe anëtarë të komisoneve që vlerësonin tenderat kanë shkelur rregullat në disa raste duke favorizuar kompaninë e Qatos dhe Mollës.
Në shkelje të ligjit, Prokuroria thotë se kjo kompani gjithashtu ka fituar tendera edhe nga Tirana Parking dhe Klubi Sportiv Tirana.

Hetimet për këtë çështje nisën kryesisht dhe më pas u bashkuan në një të vetme me një kallëzim të Partisë Demokratike.

Klan News