Tërmeti i fortë që goditi pas mesnate brigjet turke dhe greke kishte fuqinë e 3-4 bombave atomike.
Ky është pëfundimi që ka arritur Ovgun Ahmet Ercan nga Fakulteti i Inxhinierisë Gjeofizike në Universitetin Teknik të Stambollit. “Tërmeti zgjati 16-17 sekonda. Kjo është një periudhë e gjatë për një tërmet. Tërmeti kishte fuqinë e 3-4 bombave atomike,” tha ai për “Hurriyet”.
Sipas tij, goditja e orës 1:31 ishte goditja kryesore dhe nuk pritet të ketë goditje tjetër më të madhe se 5.2 ballë për momentin. Por, ai paralajmëroi se lëkundjet do të vazhdojnë për rreth tri javë.
Tërmeti i fortë, 6.7 ballë të shkallës Rihter e kishte epiqendrën 12 km në veri-lindje të ishullit grek të Kos-it, afër brigjeve turke. Sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan, tërmeti goditi në një thellësi prej 10 kilometrash.
Dy turistë, njëri turk dhe tjetri suedez, humbën jetën nga tërmeti në ishullin grek të Kos-it, ndërsa mbi 100 të tjerë janë plagosur.
Tërmeti shkaktoi edhe një valë cunami, që përmbyti resortet turistike në detin Mesdhe dhe Egje.
Nuk dihet ende se sa ishte lartësia e dallgëve të cunamit që shkaktoi tërmeti i fuqishëm në Mesdhe, por uji ka dalë në breg duke përmbytur disa lagje resortesh, fundosur varka dhe zhvendosur dhjetëra makina./tvklan.al