Sfida e radhës e Tiranës do të jetë në Korçë kundër Skënderbeut! Bardheblutë e drejtuar nga Gugash Magani do të kërkojnë fitoren kundër bardhekuqve, me të cilët do të debutojë trajneri i ri Ernest Gjoka.
Tirana vjen në përballjen e javës së 16-të pas barazimit ne derbi. Tekniku Magani analizon rivalin e radhës dhe e bën të qartë se kjo përballje nuk do të jetë e lehtë.
“Ne vlerësojmë realisht skuadrën, është një skuadër që luan mirë, ka kilometra. Lojtarët lëvizin, bëjnë shumë volum, kjo do të thotë që janë mirë fizikisht dhe janë skuadër që disa herë realizuar, por dhe për mungesë eksperience apo fati janë ndëshkuar. Në çdo ndeshje do të futemi ‘gjithçka për gjithçka’, që do të thotë për të marrë 3 pikët, është përpara Skënderbeu, ishte Partizani apo janë skuadra të tjera,” tha trajneri i Tiranës.
Tirana ka 16 pikë të grumbulluara pas 15 takimeve të luajtura në Kampionatin Shqiptar. Skënderbeu vjen pas humbjes me Laçin dhe ka 13 pikë, po aq sa edhe Bylisi i vendit të fundit.
Klan News