Skënderbeun e pret një tjetër përballje e vështirë në kampionat! Në javën e 26, bardhekuqtë do të presin në Korçë kryesuesit e Egnatias.
Korçarët janë të fundit në renditje me vetëm 20 pikë të grumbulluara e me një diferencë prej 28 pikësh me rrogozhinasit.
Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka e pranon se skuadra po kalon një moment të vështirë.
“Ishin dy humbje që nuk i kishim parashikuar. Ishin dy finale dhe nuk bëmë atë që kishim parashikuar. Na kanë futur në një stres të madh. Nuk kemi rrugë tjetër. Jemi munduar të ndryshojmë disa gjëra, por ende nuk kemi ndryshuar anën psikologjike. Një skuadër që të bëjë sukses, duhet të ketë anën mentale të fortë. Nuk po gjejmë çelësin për të hequr ndikimin skuadra.”
Tekniku analizoi edhe kundërshtarët e radhës, të cilët po kalojnë një moment mjaft të mirë.
“E njohim kundërshtarin. Është një kundërshtar me cilësi dhe e organizuar mirë. Kanë lojtarë të mirë brenda. Ne nuk kemi çfarë të humbim. Më keq se kaq ne nuk kemi ku të shkojmë. Duhet të bëjmë tonën.”
Korçarët kanë dy humbje radhazi në kampionat, ndërsa Egnatia do të kërkojë që të marrë triumfin e shtatë radhazi.
Klan News