Travis Scott nuk do të dënohet për asfiksimin vdekjeprurës të turmës. Ky është vendimi i jurisë së Teksasit për ngjarjen e ndodhur gjatë turneut të tij Astroworld në Houston, Teksas ku 10 persona vdiqën për shkak se u shtypën nga turma.

Avokati i reperit 32-vjeçar, Kent Schaffer tha se vendimi ishte “çlirues” për klientin e tij. “Ai nuk i inkurajoi njerëzit që të bënin diçka për të lënduar të tjerët”, u shpreh avokati.

Policia dhe zyrtarët federalë kanë hetuar nëse Scott dhe organizatorët e koncertit kishin marrë mjaftueshëm masa sigurie.

Mijëra persona pësuan lëndime në koncertin e 5 Nëntorit 2021 nga situata e panikut që u krijua. Viktimat ishin të moshave 9-27 vjeç. Asokohe, Travis u shpreh se tragjedia e kishte “shpërqendruar”, por nuk e dinte se ç’kishte ndodhur deri në momentin që zbriti nga skena.

9-vjeçari Ezra Blount ishte më i vogli që humbi jetën gjatë koncertit.

Kritikët e kanë akuzuar se ka vazhduar të performojë pavarësisht se “trupat e pajetë kalonin mes turmës dhe ishin tërësisht të dukshëm nga skena”.

Schaffer tha se ndien keqardhje për personat që vdiqën në koncert dhe familjet e tyre. “Por Travis nuk është përgjegjës. Akuzimi i tij nuk do ta lehtësojë dhimbjen e tyre”, tha ai.

Megjithatë, mbi reperin rëndojnë ende padi të shumta civile. Familja e njërës prej viktimave përmbylli një marrëveshje me Scott dhe bashkëpunëtorët e tij në Tetor të vitit që lamë pas por detajet nuk janë bërë të ditura./tvklan.al