Me mijëra të punësuar në vend duhet të dorëzojnë deklaratën individuale të të ardhurave personale.
Për shkak të ndryshimeve ligjore, detyrim e kanë të gjithë qytetarët që paguhen me rrogë mujore bruto mbi 100 mijë Lekë, ose thënë ndryshe ata që kanë rrogë mujore neto që kalon në bankë mbi 79,700 Lekë.
“Në të kaluarën ishin 2 milionë Lekë të ardhura në vit, ndërkohë që sot është 1.2 milionë Lekë të ardhura në vit dhe kjo është risia e vetme. Këta individë duhet të bëjnë deklaratën personale të të ardhurave në 31 mars. Çfarë do të thotë 1.2 milionë Lekë të reja në vit, do të thotë 100 mijë Lekë të reja në muaj pagë në bruto. Kuptohet, individi duhet të jetë i kujdesshëm në këtë pikë sepse gjithmonë na vjen informacioni për pagën neto dhe duhet të kemi kujdes sepse paga neto mund të jetë pak më e vogël se 100 mijë Lekë, duhen bërë llogaritje, diku tek 70-80 mijë Lekëshi”, tha Edvin Stefani.
Afati i plotësimit është deri më 31 Mars, në të kundërt parashikohen gjoba.
“Në qoftë se nuk bëjnë deklaratën, ligji parashikon një penalitet 5 mijë Lekë të reja”, tha Stefani.
Sipas ekspertit, vitin e ardhshëm, pra në 2026, deklaruesve të DIVAS do t’u njihen edhe shpenzimet për fëmijët nën 18 vjeç.
“Kjo në fakt është gjë shumë e zgjuar nga skema sepse nxit individin të deklarojë pagën e tij reale. Pasi në momentin që ai deklaron pagën e tij reale, ka mundësi që të përfitojë disa zbritje tatimore 48 mijë Lekë të reja nëse ke një fëmijë nën moshën 18 vjeç. Dhe kjo jepet pa kufizim vlere për çfarëdo lloj page i jepet një çifti për fëmijët e tij dhe deklarata bëhet nga njëri prej personave”, tha Edvin Stefani.
Madje do ketë edhe njohje të shpenzimeve arsimore për fëmijët.
“Për 100 mijë Lekë të reja, për shkollimin e fëmijëve, domethënë presupozohet që ti ke paguar në bankë një shkollë private me këtë mandat, ti ke të drejtën, duke ruajtur këtë mandat, të drejtë të zbresësh shumën deri në 100 mijë Lekë të reja. Pra në qoftë se unë kam paguar 60 mijë Lekë të reja, atëherë këtë 60-she i bie të zbres. Ky 100 mijë Lekëshi, i jepet deklaruesit me të ardhura nën 1.2 milionë Lekë, por i jepet deklaruesit që në dy bashkëshortë, atij që i ka të ardhurat më të larta”, tha Stefani.
Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore për vitin e shkuar DIVA u plotësua nga 73 mijë 790 individë, nga të cilët gati 24 mijë persona me të ardhura mbi 2 milion Lekë në vit, dhe rreth 50 mijë të dy punësuar.
Klan News