Fjorald Zguro: “Përsa i përket vitit 2009 kemi tre parashikime deri tani përsa i përket rritjes ekonomike. FMN-ja mendon se mund të jetë niveli 3.5 deri 4%, ndërkohë që Banka e Shqipërisë mendon që 4 deri 4.5 për të shkuar në 6% që mendon Ministria e Financave. Sa realiste janë këto shifra duke pasur parasysh dhe situatën globale që Evropa është në recension, Amerika me probleme?”

Adrian Civici: “Prodhimi i Brendshëm Bruto ose rritja ekonomike është ndoshta treguesi më i rëndësishëm i ekonomisë së çdo vendi, pra rritja ekonomike për 2009-tën ka qenë parashikuar 6 deri 6.2%, por duke pasur parasysh recensionin në të cilin sapo e shpalli Evropa probleme shumë të mëdha që kriza financiare ka në ekonominë botërore dhe ato që tashmë ne i përmendim shpesh si ndikime direkte në ekonominë tonë, ulja e reminitancave, shtrenjtimi i importeve, vështirësia për investime të huaja direkte apo kredi. Natyrisht që do japin ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare”.

Fjorald Zguro: “Do mund të arrijmë në një nivel të tillë ndërkohë që vendet e tjera janë, kanë një rënie ekonomike?”

Adrian Civici: “Përgjithësisht FMN-ja është shumë e përmbajtur kur jep një shifër për rritjen ekonomike ashtu siç qeveria e çdo vendi është më tejet optimiste për të treguar sukseset e saj. Diçka në mes tyre do ishte më realiste për vetë faktin sepse po ta zbërthejmë rritjen ekonomike sektori i shërbimeve, sektori i bujqësisë dhe sektori i ndërtimit nuk pritet që të kenë ndonjë bum në 2009-tën, përkundrazi janë tre sektorë që kanë filluar të kenë që tani probleme, por nga ana tjetër vendet në zhvillim ose ato vendet me ekonomi me rritje të shpejtë do bëhen faktorë amortizues përsa i përket rritjes ekonomike botërore dhe Shqipëria futet nga ato vende me kërkesë të brendshme të fortë me një ekonomi dinamike, pra vërtet nuk do arrijë ato nivele të parashikuara 6 pse 6.5%, por një nivel midis 4 dhe 5% besoj se do ishte realist”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro