Bizneset e vogla pa TVSH e tatim-fitim, rritet paga minimale në 30 mijë Lekë
Nëse vitet e tjera mënyra e taksimit të individëve dhe bizneseve ka patur rëndime të barrës së pagesës, këtë vit shumica, sidomos të vegjlit, do të kenë lehtësime.
Duke nisur që sot, të gjithë bizneset e vogla të cilët vitin e shkuar nuk kanë arritur të kalojnë pragun 10 milionë Lekë të rinj të xhiros vjetore, nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë me TVSH dhe do të dalin nga kjo skemë.
Mënyra se si ata do të çregjistrohen është automatike, ndërsa të gjithë kuponat do të priten me vlerën e tvsh-së 0. Përjashtim do të ketë vetëm për importuesit dhe bizneset që do të bëjnë vetë kërkesë për të qëndruar.
Të përjashtuar nga skema e TVSH-së do të jenë edhe profesionet e lira me xhiro deri në 10 milionë Lekë në vit, të cilët ishin të detyruar të qëndronin brenda këtij zinxhiri pavarësisht të ardhurave që realizonin.
Edhe bizneset e vogla që kanë bërë nën 14 milionë Lekë xhiro vitin e shkuar, nuk do të paguajnë më tatim mbi fitimin. Deklaratat periodike do të duhet të dorëzohen rregullisht, por ngarkesa fiskale është zero.
Viti 2021 rrit në 30 mijë lekë pagën minimale. Çdo punonjës me pagë të ulët, këtë vit do të fitojë më shumë, ndërsa barra tatimore rëndohet disi për punëdhënësit e tij dhe të vetëpunësuarit, që do të paguajnë shuma më të larta të sigurimeve shoqërore.
Këtë vit fermerët do të marrin premtimin e bërë prej kohësh, naftë pa taksa. Qeveria pritet të nxjerrë vendimet se si do të funksionojë kjo skemë, ku fermeri në bazë të kulturave që mbjell do të marrë gjysmën e sasisë së naftës falas, pasi çmimi i saj do të zhvishet nga taksa e qarkullimit, akciza, ajo e karbonit.
Tv Klan