Marrëdhënia në çift ishte në fokus të diskutimeve mes panelit të të ftuarve në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Çiftet e reja janë më tepër të predispozuara në krijimin e lidhjeve dhe bashkëjetesës se sa të martesës e familjes. Me numrin e lartë të divorceve çdo ditë e më shumë, lind pyetja se kush është vallë shkaktari që sjell këtë përfundim.
Krah arsyeve ekonomike apo dhunës që zënë pjesën më të madhe të rasteve, është edhe individualizmi. Ndjesia për t’u përqendruar më shumë tek vetja, se sa tek partneri apo partnerja është një arsye që sjell krisje e aq më tepër ndarjen e një çifti. Duke u bazuar në sondazhe dhe hulumtime, moderatorja e programit Katerina Trungu renditi arsyet se pse individualizmi, ose më saktë përqendrimi tek vetja shkatërron një marrëdhënie.
“Ndaloni së punuari si një skuadër, nëse ju ndaloni së punuari si një skuadër vini në rrezik marrëdhënien tuaj. Humbisni intimitetin, pra nuk ka një lidhje emocionale mes çiftit. Neglizhoni nevojat dhe dëshirat e partnerit tuaj dhe normalisht e nxirrni jashtë planit tuaj. Krijoni distanca mes jush dhe nuk mund të rriteni vetëm ose në çift, është një marrëdhënie në të cilën duhet të jepni versionin më të mirë të vetes. Mënjanon partnerin që të fokusohesh më shumë tek vetja për të pasur një performancë tënden më të mirë”, tha moderatorja.
Bazuar në ato që u renditën më sipër logopedia Aurora Lushej, tregoi se ajo dhe partneri i saj janë përpjekur gjithmonë që të vendosin një ekuilibër mes individualizmit dhe marrëdhënies së tyre në çift.
“Ekuilibri është çelësi i çdo gjëje, në raport me partnerin, në marrëdhënie me veten dhe në marrëdhënie me atë se çfarë të rrethon. Padyshim në momentin që ne bëhemi pjesë e një marrëdhënieje ne duhet të jemi shumë të aftë që të bëjmë diferencën mes këtyre të dyjave. Unë personalisht kam shumë vite që jam me partnerin, jemi që në gjimnaz bashkë, unë 17 dhe ai 18. Tani kemi pothuajse 14 vite bashkë, ajo që kemi vendosur të bëjmë është gjithmonë të mos i merrnim hapat e nxituar për t’i lënë kohë individualizmit dhe më pas për t’u përqendruar deri tek lidhja. Nëse ne do të kalonim masën e individualizmit, pra të kalonim në egoizëm padiskutim që kjo do të bëhej një faktoj për të shkatërruar marrëdhënien, por jemi munduar gjithmonë që të ruajmë këto balancat. Padiskutim ka ditë që ti mund të jesh pak më egoist, ose mund të jetë ai pak më shumë egoist dhe duhet më pas të ulesh e të komunikosh se si të gjesh atë ekuilibrin”, tha Aurora Lushej.