Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat duke e shpallur të pafajshëm Altin Ndocin lidhur me vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë si dhe të vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia ndodhur në harkun kohor të pak muajve në Durrës. Ndërkohë GJKKO dënoi me 6 vite Besian Xhixhan, 5 vite Enver Divën dhe me 25 vite Klevis Allën.
Implikimi i Altin Ndocit në këto krime doli pas dëshmisë së Klevis Allës. Në atë kohë ai rrëfeu se në ngjarje ka marrë pjesë edhe Ndoci, por ndryshe ka rrëfyer bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka pretenduar se Altin Ndoci nuk ka qenë i përfshirë në këto 2 vrasje në Durrës. Në të tilla kushte mbrojtja i kërkoi gjykatës pushim të akuzave, për të cilën gjeti miratim të togave të zeza.
Klevis Alla i cili u dënua me 25 vite burg, e humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi ka dhënë deklarata të rreme, ku pretendoi se autor në vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj dhe shokëve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, ishte pikërisht Talo Çela dhe Altin Ndoci. Vetë Alla sipas GJKKO, ka qenë shofer i makinës me të cilën u transportuan vrasësit e vëllezërve Haxhiaj.
Por, Altin Ndoci, edhe pse doli i pafajshëm në këtë proces, do vijojë të qëndrojë në qeli, pasi është i përfshirë në dosjen e operacionit “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet si bashkëpunëtor i vrasjes së Andi Zylyfit, ku mbeti i plagosur edhe Ardit Uruçi, ngjarja e ndodhur në dhjetor të 2018 në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Zylyfi rezulton të jetë djali i hallës së Endrit Alibejt, teksa ky i fundit ishte vrarë një vit më parë, më 29 Dhjetor të 2018, në atentat ku humbën jetën Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay.
Klan News