Si fitues i zgjedhjeve të 9 Shkurtit kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka thënë se qytetarët presin nga ai formimin e qeverisë.
Ndërsa ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përkushtim të shtuar për të finalizuar procesin e numërimit të votave.
“Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, qytetarët presin nga ne që të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë”, tha Kurti.
E në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ministrja në detyrë e drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje e i ka partnerët e koalicionit.
“LVV-ja i ka partnerët e koalicionit. Duhet të presim vetëm edhe pak… votat e diasporës janë shumë të rëndësishme dhe besoj që janë përcaktuese që qeveria të formohet dhe drejtohet nga kryeministri Kurti”, tha Haxhiu.
Aktualisht pa votat e diasporës dhe atyre me kusht Vetëvendosje i ka fituar 47 mandate, PDK 25, LDK 20 dhe AAK 8 mandate.
Vetëvendosjes i nevojiten edhe 4 deputetë që bashkë me komunitetet joserbe të mund të formojnë qeverinë e re.
Haxhiu tha se janë gënjeshtra deklaratat se kryeministri ka refuzuar ftesat e prokurorisë për të dëshmuar.
Prokuroria Speciale e ka ftuar Kurtin që nga dhjetori të dëshmojë për çështjen e rezervave shtetërore. Por kryeministri në detyrë ka thënë se dëshminë mund ta japë nëse prokurorët i shkojnë në zyrë.
Tv Klan