Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon numërimin e votave me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 Shkurtit. Me 14.36% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 2.669 vota apo 44.33% prej tyre.

Në vendin e dytë sa i përket votave të fituara është Lidhja Demokratike e Kosovës me 2.020 vota apo 33.55%, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 9.68% apo 583 vota.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve të deritanishme ka marrë 390 vota apo 6.48%.

Për këto zgjedhje, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë mundur të votojnë në dy mënyra: përmes postës dhe votimit fizik në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës. Numërimi i votave me postë nisi më 28 Shkurt, teksa numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës është drejt fundit.

KQZ-ja ka thënë se ka aprovuar më shumë se 63.000 pako, që supozohet se janë me fletëvotime. Përveç votave të diasporës, pa numëruar kanë mbetur edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Pas përfundimit të numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve hapet rruga për formimin e institucioneve të reja. Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46% të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62%.

LVV-ja po ashtu po prin bindshëm sa u përket votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike.

/REL