Evropa mund të furnizohet sërish me gaz rus. Media gjermane Bild dhe Financial Times bënë të ditur se ka patur bisedime sekrete ndërmjet delegacioneve amerikane dhe ruse për të rihapur gazsjellësin Nord Stream 2.
Siç thekson gazeta gjermane, në Zvicër prej javësh po zhvillohen diskutime mes dy vendeve, me qëllim që gazi natyror rus të rikthehet sërish në Evropë.
Bisedimet po mbahen në Steinhausen, Zvicër me pjesmarrjen e ish-ambasadorit amerikan në Gjermani Richard Grenell dhe Matthias Warning, ish-drejtor ekzekutiv i Nord Stream 2.
Financial Times, nga ana tjetër, thekson se marrëveshja që do të ndryshojë edhe një herë situatën energjetike në Evropë po “udhëhiqet” nga një mik i ngushtë i Vladimir Putinit.
“Ky është Matthias Warning, i cili deri në vitin 2023 drejtoi kompaninë mëmë të Nord Stream 2 për gjigantin e gazit të kontrolluar nga Kremlini, Gazprom,” shkruan FT.
Megjithatë, duke folur për median e njohur ai mohoi se kishte marrë pjesë në diskutime me politikanë amerikanë ose përfaqësues të biznesit, ndërsa Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putinit, tha se nuk kishte informacion për këto bisedime.
Sipas gazetës, është përgatitur tashmë një skemë e marrëveshjes. Megjithatë, plani për të rifilluar furnizimin e Evropës me gazin rus duket i vështirë në zbatim pasi kjo do të kërkonte që Shtetet e Bashkuara të heqin sanksionet kundër Rusisë.
Klan News