Te Milani është koha për të reflektuar për të ardhmen e Serxhio Konceiçao-s! Humbja e tretë radhazi ka lënë pasoja serioze në ambientin kuqezi, ndërsa në ekip ka shenja dekurajimi. Trajneri portugez e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes; ai ka në plan që të punojë fort. Ndërsa drejtuesit po përpiqen që të kuptojnë se çfarë të bëjnë me 11 ndeshje të mbetura, deri në fund të kampionatit.
Për më tepër që për t’u luajtur është edhe gjysmëfinalja kundër Interit në Kupën e Italisë në fillim të prillit. Njëra alternativë është që të vazhdohet t’i besohet Konceiçaos, përpara se të nisë revolucioni i vërtetë në qershor.
Nga ana tjetër, është mundësia për të zgjedhur një trajner të tretë për të bërë skuadrën që të reagojë. E të tentohet një reagim në kampionat, ku ekipi gjendet në vend të nëntë, edhe gjashtë pikë larg vendit të gjashtë, që i çon në Ligën e Konferencës
Te “Djalli” janë në udhëkryq; shkarkimi i Konceiçaos nuk përjashtohet, por ndoshta drejtuesit po mendojnë për të zgjidhur çështjen e drejtorit sportiv. Kandidatët kryesorë janë ish-drejtori sportiv i Laciosm Igli Tare, dhe Fabio Paratiçi, që ka qenë pjesë e Juventusit, si edhe në dy vitet e fundit ka qenë pjesë e Totenhemit. Të dy kanë zhvilluar bisedime me pronarin Xheri Kardinale dhe Zlatan Ibrahimoviç në javën e kaluar dhe në këtë javë mendohet të bëhet zgjidhja përfundimtare.
Klan News