Përdorues të shumtë të WhatsApp nuk do të kenë mundësinë ta përdorin më aplikacionin e mesazheve në fund të këtij viti, pasi gjiganti i teknologjisë njoftoi se nuk do të ofrojë më shërbim për një numër të madh telefonash.
Arsyeja lidhet me evolimin në mënyrë drastike të telefonave, që nga koha kur ky aplikacion u prezantua për herë të parë.
WhatsApp nuk do të punojë më në pajisjet BackBerry, përfshirë BlackBerry 10, por edhe në shumë pajisje të tjera që kanë sistem operativ të vjetër.
Në një deklaratë për mediat, drejtuesit e kompanisë thanë se për 7 vitet e ardhshme, ata dëshirojnë të fokusohen në platformat celulare që përdor pjesa më e madhe e njerëzve.
“Ndaj, në fund të 2016 – ës do të ndërpresim shërbimin për WhatsApp Messenger në disa platforma telefonike. Teksa disa pajisje kanë qenë një pjesë e rëndësishme e historisë tonë, ato nuk ofrojnë kapacitetet e nevojshme për zgjerimin e aplikacionit tonë në të ardhmen”,
thuhej në deklaratë.
Sipas gjigandit të teknologjisë, ky nuk ishte një vendim i lehtë për t’u marrë, por është i duhuri, në mënyrë që përdoruesit të marrin më të mirën nga WhatsApp.
“Nëse përdorni një nga këto pajisje që do të preken nga ky ndryshim, ju këshillojmë që të përditësoni sistemin operativ,”
theksohej më tej në deklaratë.
WhatsApp ka konfirmuar sëfundmi se ka mbi 1 miliardë përdorues aktivë, që do të thotë se ky shërbim duhet të menaxhojë mbi 42 miliardë mesazhe dhe 250 milionë video që dërgohen çdo ditë./tvklan.al