#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Sot rreth orës 14:00 Erion velaj, kryetari i bashkisë së Tiranës është ndaluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficerët e kanë shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës. Deri në atë moment ai ka qenë në një mbledhje rutinë, në momentin që ka dalë nga zyra, është lajmëruar që e prisnin agjentët. Ai është transferuar në zonën e sigurisë në Tiranë. Arrestimi i tij ka ngjallur mjaft reagime. Kush janë personat që SPAK nga vendosur masat e sigurisë? SPAK ka njoftuar përmes një deklarate arrestin me burg të Veliajt, arrestin në shtëpi të Ajola Xoxës, arrest në burg për Elman Abule dhe masën e sigurisë për 5 biznesmenë të tjerë. Pak momente pas dhënies së lajmit, një foto e shkrepur e tregon Ajola Xoxën në aeroportin e Romës në një prej avionëve që do të mbërrinte në Tiranë. Ajo është pritur nga agjentët e BKH dhe policisë. E shoqëruar nga dy makina, ajo është transferuar nga aeroporti i Rinasit drejt shtëpisë së saj ku do të qëndrojë nën arrest shtëpie.

“Ra faja prej fikut”, shpërthen “festa” për arrestimin e Veliajt pranë bllokut të sigurisë

Një grup njerëzish kanë festuar në mënyrë simbolike arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Nën ritmet e këngës “Ra faja prej fikut” dhe me karikatura në duar “festa” ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në afërsi të bllokut të sigurisë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë.


Sjellim në vëmendje se me vendim të GJKKO, është caktuar sot masa e “arrestit me burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe ajo e “arrestit në shtëpi” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste.

Ka masë sigurimi “detyrim paraqitje” edhe ndaj 5 personave të tjerë dhe një masë të 6-të sigurie “arrest në burg” ndaj një biznesmeni.

Arrestimi i Veliajt/ Klodiana Lala: Nesti Angoni dha detaje deri tek fustanet, mendoj se ai është…

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua pas rreth 1 viti nga nisja e hetimeve nga ana e SPAK ndaj tij.

Hetimi, siç është bërë e ditur para disa kohësh, nisi pas denoncimit nga një person i vetëquajtur Nesti Angoni, për të cilin vetë Veliaj ka thënë se nuk ekziston në Gjendjen Civile.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, deklaroi se denoncimet e bëra nga Nesti Angoni për Erion Veliajn kanë qenë të detajuara për gjithçka, përfshirë dhe blerjet online të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, për të cilën SPAK thotë se ka bërë 860 mijë Euro blerje në internet.


Klodiana Lala: Në kallëzimin që ka bërë shtetasi i identifikuar si Nesti Angoni, ka patur detaje të sakta të të gjitha të lëvizjeve të z.Veliaj dhe znj.Xoxa. Po ashtu ka dhënë detaje deri te blerja e sendeve personale apo rrobave nga znj.Xoxa. Nisur nga ky kallëzim penal, prokurorët kanë sekuestruar të gjithë dokumentet. Në një rast është shumë detaj interesant, sepse ka rezultuar që në një hotel në Vienë, z.Veliaj me bashkëshorten kanë kërkuar një krevat të vogël shtesë për djalin, edhe ky detaj është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme.

Blendi Fevziu: Edhe detaje të tjera kanë qenë të përfshira?

Klodiana Lala: Unë mendoj që Nesti Angoni është brenda Bashkisë së Tiranës, se kush është prej tyre e di SPAK, por është aq i detajuar saqë prokuroria fillimisht ka marrë të gjithë hyrjet/daljet në TIMS, të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me faturat, me blerjet online, kanë marrë lejet e ndërtimit.

Marrja në pyetje/ Klodiana Lala: Veliaj kaloi në fyerje personale me prokurorin e SPAK

Më 26 Dhjetor 2024, kryebashkiaku i Tiranës qëndroi në SPAK për rreth 5 orë ku u mor në pyetje nga prokurorët e dosjes së tij, Ols Dado dhe Altin Dumani.

Sot, më 10 Shkurt 2025, Veliaj u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, tregoi për herë të parë se çfarë ndodhi në atë seancë marrjesh në pyetje, ku pati debat të fortë dhe fyerje personale.


“Pasi janë kqyrur të gjitha, është kaluar në pyetjen e personave. Është pyetur z.Veliaj. Po e them sonte publikisht që z.Veliaj ka patur një debat shumë të fortë me prokurorët e çështjes, ka shkuar një debat deri në fyerje personale me njërin nga dy prokurorët e çështjes. Ka qenë një seancë shumë e tensionuar e marrjes në pyetje. Kjo është e gjitha e filmuar. Janë rekorde që janë në Prokurorinë e Posaçme. Dhe në momentin që doli, z.Veliaj foli për metoda të sigurimit nga SPAK-u”, u shpreh gazetarja Lala.

“Veliaj prej kohësh nuk firmoste vetë”, Fundo parashikon arrestimin e këtij ministri

Gazetari Elvi Fundo thotë se prej kohësh Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk firmoste vetë, por këtë detyrë e kishte marrë Arbjan Mazniku, tashmë Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Fundo thotë se mbase pas Veliajt, radhën për t’u arrestuar do të ketë Ministri Mazniku teksa shton se dosja hetimore për kreun e Bashkisë Tiranë është një “Gërdec” i madh.


Elvi Fundo: Ne sot kemi, sipas SPAK-ut, rreth 1 milionë Dollarë blerje, rreth 1 milionë Dollarë të tjera të bllokuara Ajolës në bankë dhe një vilë që pretendohet në Qerret që vlera e saj është rreth 500 mijë Dollarë. Pa folur këtu për shumën rreth 115 mijë Eurosh që është e ndarë në 95 mijë Euro shumica në pako 500-she dhe 14 mijë Dollarë dhe rreth 6 milionë e gjysëm Lekë. Gjithashtu, po të shikojmë dokumentat ku thuhet se Veliaj ka kryer veprime konkrete dhe çështja nuk është thjesht tek lejet e ndërtimit.

Prej shumë kohësh, Veliaj nuk firmoste vetë, por firmoste një ministër i Ramës, Arbjan Mazniku, i cili është nën hetim dhe SPAK ka sekuestruar shumë dosje dhe po heton dhe për firmat e Maznikut. Ndoshta pas Veliajt, radhën atje me kolegët mund ta ketë edhe ministri i radhës i Ramës. Hetimet janë të thelluara. Dosja është një Gërdec i madh. Në dijeninë time, unë kam parë një vullnet të madh për t’u përshëndetur prokurorëve. Ky është një hetim i fortë dhe shumë i kopsitur. Ne po flasim për blerje 1 milionë Dollarë dhe kemi një vilë në mes të Bllokut që e ka shoqëria “Harabel” që është pa qira. Hetimet vazhdojnë, do të ketë fakte dhe prova të reja.

“35 mijë dollarë një fustan”, Klodiana Lala përmend faturat në dosjen e SPAK

Gazetarja Klodiana Lala sjell në emisionin “Opinion” në Tv Klan disa detaje nga dosja e SPAK ndaj  kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili u arrestua ditën e sotme. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë nën masën e sigurisë arrest shtëpie.

Sipas SPAK, kjo e fundit ka shpenzuar rreth 860 mijë euro në blerjet online. Klodiana Lala thotë se në dosje përmendet që një fustan ka shumën e 35 mijë dollarëve. Gazetarja thotë se gjatë kontrollit të apartamentit, SPAK dhe BKH morën sende personale të Ajola Xoxës me të cilat është bërë krahasimi me artikujt online.


Klodiana Lala: Ka edhe dy momente që në këndvështrimin e SPAK janë konsideruar si thelbësore. Elman Abule është një biznesmen shqiptaro-belg, i hetuar më herët dhe po hetohet aktualisht nga Prrokuroria e Tiranës për veprën penale të pastrimit të parave, baskë me bashkëshorten e tij dhe disa biznesmenë të tjerë, ka pasur fillimisht një sekuestrim të pasurisë dhe më pas është liruar nga apeli. Elman Abule përmes kompanive të tij dyshohet që të ketë kryer transaksione fiktike me qëllim që çifti Xoxa-Veliaj të fshihte origjinën e vërtetë të parave thotë prokuroria, para të cilat dyshohen…

Blendi Fevziu: Në çfarë masash?

Klodiana Lala: Në shumë të konsiderueshme sepse ju më pyetët për shumën 860 mijë euro. Dyshohet që znj. Xoxa këto para nuk i ka deklaruar, por janë para nga ana tjetër që as nuk i justifikon dot.

Blendi Fevziu: Janë bërë si…

Klodiana Lala: Në një rast rezulton vetëm një fustan në një faturë që është rreth 35 mijë dollarë.

Blendi Fevziu: Është e vërtetuar?

Klodiana Lala: SPAK i ka në dosje se nëse janë të vërtetuara ose jo, unë nuk jam SPAK-u. Është në dosje që vetëm një fustan dhe nëse e mbani mend, kur u kontrollua apartamenti 11/4 në Sky Tower, është 10/4 që është qendra Harabel, një kat më lart është 11/4 dhe aty SPAK përveçse sekuestroi disa dokumente, kontrata  etj, ajo çfarë më bëri mua përshtypje në atë kohë se nuk e kisha dëgjuar përpara, SPAK dhe agjentët e BKH morën sende pwrsonale, këpucë, çanta dhe fustane të znj. Xoxa. Me thënë të drejtën, kjo m’u duk si gjë jo e  zakontë sepse nuk kishte ndodhur asnjëherë më herët. Por çfarë ka bërë SPAK në rastin konkret sipas logjikës së vendimit, pra ka bërë blerjen online, cili është sendi i blerë dhe ka bërë më pas edhe nëse është i njëjti mall që është gjendur aty. Z. Abule dyshohet që është personi që ka bërë transaksionet për të mbuluar pasurinë e kësaj skeme që dyshohet korruptive.

Artan Hoxha: Teoria e 3-të që qarkullon pas arrestimit të Erion Veliajt

Në komentin e tij për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, Artan Hoxha u shpreh në emisionin “Opinion” në Tv Klan se do të ketë ndikim politik. Ai tha se ky arrestim ka sjellë formulimin e një teorie të tretë, bazuar në çfarë ka dëgjuar nga kolegët. Sipas Hoxhës, me arrestimin e Veliajt SPAK hyn në zgjedhje kundër Partisë Socialiste dhe Ramës, në favor të Berishës.


Artan Hoxha: Sistemi i bashkisë së Tiranës duket qartë që është një sistem i molepsur në gjerësi dhe thellësi në korrupsion dhe në keqpërdorim të tij për qëllime politike. Bie dakord me Buzhalën që duket se Erion Veliaj nga i plagosur rëndë është i vrarë politikisht.

Blendi Fevziu: Politikisht.

Artan Hoxha: Kjo ka pasoja në politikën shqiptare. Vini re, arrestimi i Veliajt sot i ka dhënë jetë një teorie të tretë mbi pyetjen çfarë është SPAK-u dhe GJKKO? Teoria e tretë që e dëgjova nga disa kolegë tanët kryesisht me prirje majtas është që SPAK sot është futur në zgjedhje rëndë kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në favor të Berishës për shkak se është ndikuar nga ndryshimet  e politikës në Amerikë ku iu dha sinjali i parë me këto fondet e USAID-it. Unë po referoj këtu me tri fjalë çfarë dëgjova në gjithë   emisionet e mbrëmjes nga kolegët tanë majtas.

“Kjo për mua nuk ka ndodhur, por s’do të thotë që s’do të ndodhë së shpejti”, përmbylli Hoxha.

Arrestimi i Veliajt, gazetari Arbër Hitaj: Duhet më shumë transparencë, është goditje e fortë e SPAK

Gazetari Arbër Hitaj ka deklaruar në studion e “Opinion” në Tv Klan se arrestimi i sotëm i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt është një goditje e fortë që SPAK ka bërë.

Ai shtoi gjithashtu se SPAK ka dhënë masa ekstreme për Veliajn dhe bashkëshorten e tij, pasi sipas tij nuk ka transparencë në akuzat dhe në provat që janë dhënë.

Pjesë nga biseda:

Arbër Hitaj: Ka disa elementë që duhet t’i sqarojmë. Pikë së pari ende nuk ka një akuzë ndaj zotit Veliaj, është person i pandehur dhe nëse flet me shumë jurist të gjithë shprehin habinë e tyre se pse duhet të ishte një masë kaq ekstreme, jo vetëm ndaj zotit Veliajt, por edhe ndaj bashkëshortes së tij.

Blendi Fevziu: Po te zoti Meta kishte, kishte…

Abër Hitaj: Po patjetër, e njëjta procedurë është. Unë nuk po them se ajo qe e mirë, kjo qe e gabuar. Pra duhet të sqarojmë pak elementët, që do të thotë, është një vendim që shkon pak përtej ligjit në rastin konkret.

Klodiana Lala: Si përtej ligjit?

Arbër Hitaj: Sepse nuk ka akuza, është i pandehur dhe diskutimi është, dakord Veliaj do të prishë provat, po zonja Ajola Xoxa çfarë provash do të prishi. Pse nuk i lejohet që të paktën të ishte në “detyrim paraqitje” që të çonte fëmijën e saj në shkollë, në kopësht, etj. Pra ka disa elementë që unë besoj se gjykata do t’i sqarojë sepse janë vendime pak ekstreme. Pastaj…

Klodina Lala: Fëmijën duhet ta marri shërbimi social i Bashkisë së Tiranës në kushtet kur…

Arbër Hitaj: Flasim për blerjet online, duhet të sqarojmë blerjet. Të gjithë e dimë se blerjet online që kushtojnë më shumë se 20 mijë lekë të vjetra duhet të paguash doganë. Që do të thotë në qoftë se janë 870 mijë blerje online, automatikisht duhet të jetë 300-400 mijë doganë.

Blendi Fevziu: Dogana i bie të jetë rreth 20% afërsisht.

Arbër Hitaj: Pikërisht, është një shumë e lartë që duhet ta publikosh dhe duhet të jetë te tatimet te doganat. Mungon në rastin konkret. Kjo është një goditje shumë e fortë që ka bërë SPAK. Unë jam te ata që e mbështesë Prokurorinë e Posaçme, por duhet të jetë më e plotë dhe me shumë transparencë. Unë dua më shumë transparencë në akuzat dhe në provat që kanë ndaj zotit Veliaj dhe bashkëshortes së tij. Sepse është dhe një ndikim që të jep në elektorat, jemi tre muaj para zgjedhjeve, flasim për numrin 2 de facto të Partisë Socialiste, një nga njerëzit më të fuqishëm në strukturat e PS, një i zgjedhur me mbi 100 mijë vota.

/tvklan.al