VMRO-DPMNE, Aleanca Shqiptare dhe Alternativa, partia e Majta dhe partia Besa kanë arritur një marrëveshje duke formuar shumicë të re qeverisëse në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja erdhi pas dorëheqjes së Zoran Zaev.
“Nga partitë opozitare, VMRO-DPMNE, Aleanca Shqiptare gjatë mbrëmjes së sotme, më konkretisht pak minuta më parë konfirmuan se kanë krijuar shumicë të re parlamentare prej 61 deputetësh. Kjo shumicë e re parlamentare është krijuar nga ana VMRO-DPMNO, opozitares Aleanca Shqiptare dhe Alternativa, partisë e Majta dhe partisë Besa. Lajmin e konfirmoi për Klan Macedonia, sekretari i ASH, Arben Taravari, i cili njoftoi ekskluzivisht se është formuar shumicë e re prej 61 deputetëve. Të njëjtën e konfirmoi kryetari i Levicës dhe më pas doli në një qëndrim në Facebook edhe lideri Hristjan Mickoski i VMRO-DPMNE, i cili informoi që tashmë është formuar një shumicë e re prej 61 deputetëve”, tha gazetarja e Klan Macedonia, Xhumadije Ibrahimi.
Nuk ka asnjë reagim nga LSDM dhe BDI, të cilat deri më tani kanë mbajtur pushtetin. Gazetarja raportoi se disa orë më parë gjatë kësaj të premteje, Zaev ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM-së.
“Të shohim se çfarë do të ndodhë në vijim pasi disa orë më parë edhe kreu i LSDM, Zoran Zaev e deponoi dorëheqjen e tij nga lideri i LSDM-së në partinë e tij kështu që sipas statusit të tij, kur kreu i LSDM-së jep dorëheqjen gjithë ministrat, deputetët dhe përfaqësuesit e LSDM janë në dorëheqje. Pritet që Kryeministri Zaev edhe dorëheqjen ta deponojë edhe në Kuvend. Ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM. Sipas statusit të LSDM kur jep dorëheqjen kryetari i partisë, në dorëheqje janë të gjithë përfaqësuesit e kësaj partie”, tha Ibrahimi.
Çfarë pritet që të ndodhë?
Gazetarja tha se nëse opozita, siç ishte deri më tani partia më e madhe VMRO-DPMNE, krijon numrat për shumicë të re parlamentare, atëherë presidenti do duhet që t’ia dorëzojë mandatarin për kryeministër kësaj partie pasi ka në dorë numrat.
“Do të presim ditët në vijim, se çfarë do të jetë zyrtare edhe pse tanimë dolën me qëndrimin zyrtar se janë krijuar këto numra, domethënë do të shohim a do të formohet qeveri e re parlamentare me një shumicë të re që deri më tani kanë qenë në opozitë”, tha Ibrahimi.
LSDM humbet shumicën qeverisëse në RMV
“Kemi shumicë të re parlamentare“. Kështu thuhet në postimin në Facebook të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke shpërndarë fotografi me krerët e Alternativës, “Levicës” dhe Besës.
“E ardhmja e re vjen, koha e re dhe shpresa e re. Na presin sfida të fuqishme, të vetëdijshëm dhe falënderues për mbështetjen bashkë do të kemi sukses. Maqedonia do të ketë sukses. Kemi shumicë të re parlamentare”, ka shkruar Mickoski në Facebook.
Një situatë të këtillë e ka konfirmuar edhe Areb Taravari nga ASH-ja, po ashtu në Facebook.
Taravari duke shpërndarë një video të Klan Macedonia ka shkruajtur shkurt në tri gjuhë, shqip, maqedonisht e turqisht; “Shumicë e Re! T’fala nga Taravari!“.
Një epilog i këtillë vjen pasi Besa vendosi ta braktisë qeverinë, pas vendimit të KSHZ-së që të ketë rivotim në Zhelinë pas ankesave të BDI-së.
Klan Macedonia